Tri ditë nga zgjedhjet brenda partisë për postin e kryetarit të PD-së, Edith Harxhi ishte në Malësi të Madhe ku kërkoi mbështetjen e demokratëve për t’i besuar drejtimin e së djathtës shqiptare.
Ish-zv/ministrja e Jashtme kërkoi hapjen e dosjeve të sigurimit të shtetit duke filluar nga PD, që sipas saj brenda ka anëtar të ish-sigurimit të shtetit.
“Ka boll partia jonë ish anëtar të sigurimit të shtetit. Duhet të fillojë hapja e dosjeve të sigurimit të shtetit, nga partia jonë njëherë. Nuk duhet të kenë funksione të larta në parti, poste drejtuese” tha ajo.
Bashkimi, tha më tej Harxhi, është mënyra e vetme që PD të vijë në pushtet. “Humbja e fundit na ka krijuar probleme shumë të mëdha, anëtarësia është dëshpëruar, 8 vite në opozitë, kjo qeveri vazhdon të vendosë gjoba.
Shikoni si kanë filluar me u ra investimeve në bregdet. Në mënyrë që të fitojmë një palë zgjedhje normale duhet të bashkohemi” tha ajo.
Në garë për postin e kryetarit të PD-së janë Lulzim Basha, Edith Harxhi, Fatbardh Kadilli dhe Agron Shehaj, ndërsa zgjedhjet do të zhvillohen në 13 qershor.