Spikerja e lajmeve, Blerta Tafani, prej ditësh është përfshirë në një debat “të nxehtë” me Xheni Karajn, lidhur me familjet LGBT.
Në fakt debati nisi për shkak të një emisioni televiziv, i nxitur nga një kërkesë e një shoqate për të drejtat LGBT+ në Angli, ndaj punonjësve të vetë shoqatës, për të përdorur etiketimin “prindit që lind”. Ky propozim nuk ka lidhje me Shqipërinë dhe as me “heqjen e fjalës nënë dhe baba”, siç u keqinterpretua në shumë media shqiptare, përfshirë edhe në emisionin televiziv ku ndodhi debati.
Gjatë debatit në formë “sherri” në ABC, Tafani përdori gjuhë diskriminuese duke deklaruar se aktivisja Karaj, e “degjeneron shoqërinë”, “nuk bën dot familje”, “është fatkeqësi të ketë fëmijë”, etj (video më poshtë).
Me sa duket, spikerja nuk është dakord me faktin që TPZ, e ka etiketuar gjuhën e saj si “diskriminuese”, duke pretenduar se këtë e kemi bërë “për klikime”. Ndaj, përveç publikimit të reagimit të spikeres, për efekt edukativ, po përfshijmë më poshtë, disa fragmente të Ligjit Për Mbrojtjen nga Diskriminimi në Republikën e Shqipërisë, që mund të lexohet jo vetëm nga spikerja, por edhe nga çdo person tjetër i interesuar. (Ligji i plotë këtu! )
Në reagimin e saj, Tafani thotë se nuk është homofobe, por është Xhenifobe, pra ka fobi nga Xheni Karaj si individ.
Reagimi i plotë i Blerta Tafanit:
Nje sqarim per Xhenin dhe portale si ky:
1- te mendosh ndryshe nga Xheni nuk eshte faj.
2- te dua familjen time tradicionale dhe te dua qe femija im te kete nje nene dhe nje baba ashtu si edhe une eshte e drejta ime, eshte deshira ime me e madhe, eshte baza e shoqerise dhe e jetes!
3- une nuk jam homofobe, jam xhenifobe
4- nuk e diskriminova une nje individ qe me quan injorante, qe i denigron grate duke thene: skemi nevoje te lindim ne, se lindni ju per ne, qe kerkon te drejta dhe privilegje vetem duke bere lesbiken.
5- Reagimi im eshte thjesht i natyrshem, nisur nga ndjeshmeria ime per nenen dhe babain, per vajzen time, per familjen shqiptare dhe gjithe shoqerine qe bazen e ka pikerisht nga kjo.
Ndersa Xheni dhe portali me poshte, duan njeri fonde, njeri klikime.
Pune te mbare te dyve
Reagimi i Xheni Karajt:
Është e disata herë që media në Shqipëri ngre një furtunë në gotë duke keqinformuar publikun përmes titujve ‘’Komuniteti LGBTI kërkon të hiqet fjala NËNË’’. Kur në të vërtetë, ajo cfarë kërkon komuniteti LGBTI është regjistrimi i fëmijëve të lindur nga raporti faktik i dy nënave ose baballarëve, e cila është një e drejtë themelore e individit dhe detyrim pozitiv i shtetit për të garantuar regjistrim, mosdiskriminim, mbrojtje efektive dhe jetesë normale në interesin më të lartë të fëmijës. Në disa vende perëndimore ky regjistrim bëhet duke përdorur termin ligjor Prindi 1 dhe Prindi 2. Në vende të tjera vendoset amësia ose atësia përmes emrave dhe dokumentave identifikues të dy nënave ose baballarëve.
Pavarësisht këtyre zgjidhjeve dhe emërimeve juridike fëmijët e këtyre cifteve i thërrasin prindërit e tyre MAMI dhe BABI. Sic do të më thërrasë mua dhe partneren time fëmija ynë, MAMI.
Bota nuk u përmbys në këto vende perëndimore që njohën familjet LGBTI, familja heteroseksuale nuk u shkatërrua, fjala NËNË dhe BABA nuk u zhduk nga fjalorët, numri i popullsisë nuk u ul.
Tani, unë e di që ne në vendin tonë sic kemi shumë Nastradinë kemi dhe Nostradamë por skenarët apokaliptik nuk kanë vend në një debat që kudo në botë është fituar nga ata që janë në anë të dashurisë dhe drejtësisë.