Nga Elona Caslli
Duket se emisioni çedukues ” Përputhen” nuk kufizohet veçse tek të rinjtë shqiptarë, që nën dritën e prozhektorëve dhe të kamerave duhet të vendosin në tezgë panairi dimensionin e tyre personal. Ky emision së fundmi ka vendosur të shtrihet edhe tek Erion Veliaj.
” Përputhen” dje është zhvendosur në qendrën e kullëzuar të kryeqytetit, atje ku Erion Veliaj ndiqte ndeshjen mes Turqisë dhe Italisë. Mes zhurmës së njerëzve një gazetare nga ” Top Channel” ka vendosur të intervistojë kryebashkiakun.
Çasti kulmor ka qenë kur gazetarja ka kërkuar të puthë Erion Veliajn, pasi në jetën e saj nuk kish puthur kurrë asnjë kryetar. Kryebashkiaku e ka pranuar kërkesën për puthje nga gazetarja, por ka këmbëngulur në përcaktimin kufijve të sipërfaqes ku duhej të jepej kjo puthje.
Erion Veliaj në ligjëratë të drejtë ka thënë- Mund të më puthësh, por vetëm në faqe.
Atëherë gazetarja e ka puthur kryebashkiakun në faqe dhe e ka falenderuar, pasi falë punës së tij, Tirana ka marrë një pamje tjetër.
Post Scriptum- Në dijeninë time, kur dy të rinj përputhen, largohen nga emisioni dhe vazhdojnë historinë e dashurisë jashtë tij. Shpresojmë që ” Top Channel” dhe Erion Veliaj pas përputhjes, ta vazhdojnë historinë e tyre. Do të kishim një televizion propagande dhe një kryeshkatërrues më pak.