Anila Hoxha: Ndalni shfaqjet “show” duke përdorur RENEA-an!

0
115

Nga Anila Hoxha

Teksa po shikoja forcat speciale RENEA, që kishin dalë në Elbasan të blinduara dhe me mision rrufe, gati-gati isha e sigurtë që mbas operacionit blic, do të kishim arrestime të rëndësishme.

Mendova që policia kishte informacione të sigurta për adresën, targat e makinës të të kërkuarit Talo Çela, megjithëse stepa disi se ç’donte RENEA në Elbasan, kur për të shumëkërkuarin, informacionet tregojnë se ai fshihet në Durrës.
Më pas kur pashë RENEA-n, aq spektakolare duke hyrë në një lokal në Vlorë e duke arrestuar një qytetar të dorës së tretë në krim, sërish mendova: ata gjenden në Vlorë sepse iu kanë lënë në dorë fotografi dhe informacione për vrasës me pagesë që qarkullojnë në këtë qytet dhe që eleminojnë për llogari të narkotrafikut.

Në përfundim, u zgjova me bindjen se RENEA, reparti për arrestimin e neutralizimin e personave me rrezikshmëri të lartë ishte kthyer në Tirane jo me pranga në xhep, por me pranga në duar të elementëve të rrezikshëm.

Nuk ishte arrestuar as Talo Cela, as Klement Xhaferri, as Ibrahim Liçi, as Nuredin Dumani. As një autor që mbasi plagosi në Vlorë, u largua dhe vetë i plagosur nga vendngjarja!

Atëherë përse dhe kush e dha informacionin apo dhe urdhrin që RENEA duhet të dalë rrugëve, cili është plani i masave që e katandis repartin elitar duke kontrolluar makina?!

Është paradoksale, e dhimbshme, dhe boll u tallët me policinë, kur pashë e fotografova në një pikë kontrolli një oficer të RENEA-s i blinduar deri në dhëmbë. Dy centimetra me tej, një polic pa asnjë masë mbrojtëse. Me vetëm një maskë të zezë në fytyrë.

Nëse aty do të gjendej vërtet një vrasës, cila mendje është kaq e bindur që vrasësi do të qëllonte RENEA-n dhe jo ata policët pa jelek, të veshur me rroba xhiroje dhe që ndërkohë përfshihen në aksione të tilla, nëse do vazhdojmë të besojme se aty po ndodhte diçka e rrezikshme?!

Çfarë efekti kanë kontrolle të tilla? Ku synohet të arrihet?

Vite me parë në qytetin e Vlorës mbas disa shpërthimeve, me urdhër të një ministri u kërkua prezencë e shtuar e specialeve në këtë qytet. Por ata u kthyen në repart vetëm me një pistoletë pa leje, që ia kapën nje fakiri të painformuar se kishin mbërritur specialet në qytet.

Të tjerët atë ditë as që dolën xhiro, por shikonin se si RENEA kapej me shoferët e dumdumëve e të furgonëve.

Duhet të ishte reflektuar!

Jam nga ata gazetarë që kam kontribuar mes të tjerash me dokumentarë në EXCLUSIVE , ku tregohet se sa të rëndësishëm janë specialet e RENEA-s, operacionet me bazë informacionin e saktë të agjentit, spz dhe çdo formë tjetër.

Dhe natyrisht që më dhemb kur e shoh RENEA-n duke ia shkulur atë mit dhe famë që ata kanë dhe nuk ndryshon nga çdo repart dhe forcë speciale në botë.

Shefat që thirren, ata shefat pa qafë, (kështu dukeshin në mbledhjen e fundit), duhet të japin përgjigje.

Përse doli RENEA pa asnjë arsye në rrugët e vendit?!

Nëse ka humbur besimi te policia lokale, mjaft me paralajmërime foshnjarake; “po ndodhi më, do t`ju shkarkojmë”. Ka plot të rinj e të reja në polici, që nuk janë bërë pis dhe që janë POLICË TË SHTETIT dhe jo policët vetjakë të ndokujt.

*Anila Hoxha është një nga gazetaret më të vjetra të kronikës dhe mbulimit të punës së policisë. Shkrimi është marrë nga faqja e Facebook, të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here