Shqiptarët në shumicë, pasi janë njohur me ndëshkimet e drejtuesve të lartë në Maqedoni, Malin e Zi, Kosovë, BiH… presin që “urdhri Biden” të godasë edhe “kokën” e autoritarizmit, korrupsionit e krimit në Tiranë… duke mos bërë thjesht kurban disa koka ish-ministrash e ministrash, apo zyrtarësh të lartë vendorë, thjesht për të krijuar alibinë se edhe në Shqipëri po goditet qeverisja autoritare dhe korrupsioni. Thënë më shkoqur, pa ndëshkuar ideatorin dhe organizatorin e korrupsionit, të lidhjeve të krimit më qeverinë, të autoritarizmit dhe të kapjes së shtetit në Shqipëri, shqiptarët në shumicë do ta perceptonin këtë “lëvizje” selektive e me standard të dyfishtë.
Para disa kohësh, portali “European Western Balkans” botonte shkrimin me titull “Vlerësimi i ndikimit të vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor” ku ngrihej shqetësimi për “rritjen e fuqisë ekonomike” të vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor. Sipas artikullshkrueses, arsyeja e vërtetë përse vendet e Ballkanit Perëndimor dhe drejtuesit e tyre, kishin “krijuar e hapësirat e penetrimit” të forcave të treta lidhej me devijimet që drejtuesit autoritarë të vendeve të BP i kishin shkaktuar procesit të demokratizimit dhe integrimit të vendeve të tyre në BE e NATO. Më konkretisht në artikull jepeshin disa nga arsyet përse drejtuesit autoritarë e të korruptuar të vendeve të BP i kanë hapur dyert ndikimit të forcave të tjera të treta, të ndryshme nga ato të SHBA, BE dhe NATO-s:
-drejtuesit e vendeve të BP menaxhojnë qeveritë e tyre në mënyrë autoritare, ose e thënë pa doreza kanë krijuar regjime jodemokratike që përfaqësojnë interesat e korrupsionit e oligarkisë dhe që janë të lidhura apo bashkëpunojnë me krimin, trafikantët e mafien rajonale e europiane;
-drejtuesit e vendeve të BP bëjnë sikur bëjnë reforma për ndërtimin e shtetit ligjor, dhe në të vërtetë kanë ngritur qeverisje të kupolave të pasura, klienteliste e nepotike;
-drejtuesit e vendeve të BP nuk bëjnë reforma, ndërkohë që raportojnë përmes medias së kontrolluar prej tyre suksesin e reformave virtuale që në fakt mungojnë;
-drejtuesit e vendeve të BP kanë vënë nën kontroll biznesin dhe medien duke krijuar trekëndëshin Biznes-Media-Politikë që kontrollon gjithçka dhe bën të pamundur alternimin e pushtetit;
-drejtuesit e vendeve të BP kanë vënë nën kontroll mekanizmat adekuatë shtetëror dhe kanë ngritur bankat e tyre për pastrimin e parave të pista të fituara përmes korrupsionit, lidhjeve me krimin e organizuar dhe bashkëpunimin në narkotrafiqe; ndërkohë që një pjesë të pasurisë së tyre ose e pastrojnë përmes ndërtimit të kullave qiellgërvitëse ose e kanë depozituar në parajsat fiskale;
-drejtuesit e vendeve të BP më së fundmi kanë vënë nën kontroll të plotë edhe sistemin e drejtësisë e përmes tij kanë filluar të “pastrojnë” CV e anëtarëve të kupolës klienteliste dhe ndërkohë bëjnë gjueti shtrigash ndaj çdo mendimi opozitar apo kundërshtues të tyre, madje duke angazhuar për këtë qëllim lobistë të paguar majmërisht me synimin për të komprometuar e implikuar në këtë gjueti shtrigash zyrtarë të lartë perëndimorë;
-drejtuesit e vendeve të BP kanë ngritur po ashtu mekanizma të fuqishëm dhe kanë vënë në dispozicion shuma të mëdha parash të siguruara nga korrupsioni apo lidhjet me krimin e trafiqet për marketing të qeverisjes të tyre dhe rregullimin e imazhit përmes pagesave të kompanive lobuese ndërkombëtare, aktive në median prestigjioze ndërkombëtare dhe me lidhje të rëndësishme me zyrtarë të lartë të vendeve perëndimore;
-drejtuesit e vendeve të BP kanë ngritur po ashtu mekanizma të fuqishëm për komprometimin dhe kërcënimin e përfaqësuesve të vendeve dhe institucioneve që raportojnë për progresin e vendeve të tyre me synimin hartimin e raporteve të sheqerosura për qeverisjet e korruptuara dhe autoritare.
Qeveria e Shqipërisë është shembull tipik i kapjes së shtetit, korrupsionit, lidhjeve me krimin e autoritarizmin.
Në këto kushte, drejtuesit oligarkë dhe autoritarë të vendeve të BP janë të gatshëm t’i krijojnë hapësira cilitdo vendi apo individ të fuqishëm që i ndihmon për të përforcuar pushtetin e tyre personal dhe qëndruar sa më gjatë në pushtet dhe që s’ka asnjë kërkesë për progresin e demokracisë, ngritjen e shtetit ligjor apo respektimin e të drejtave të njeriut.
Gjurmët e ndikimeve të vendeve të treta në BP duhen kërkuar më së pari në hapësirat që kanë krijuar drejtuesit autoritarë të vendeve të BP me kapjen e shtetit për të siguruar jetëgjatësi të pushtetit të tyre personal. Drejtuesit e vendeve të BP i duan drejtuesit e NATO, SHBA e BE vetëm për të bërë foto e shtrënguar duart që të mashtrojnë qytetarët e tyre, sepse s’i kanë më ata si model. Ata janë të gatshëm të bëjnë cdo lloj koncesioni apo shesin sovranitetin e vendeve të tyre me të vetmin kusht ruajtjen e pushtetit personal. Këto janë problemet reale që shqetësojnë qytetarët e vendeve të BP, shqetësime e probleme që duhet të kthehen në prioritet të veprimit të SHBA, BE e NATO, duke shmangur cdo lloj standardi të dyfishtë apo veprimi selektiv, dhe që do të “falte” personazhet më autoritarë e më të korruptuar e të inkriminuar… Shqipëria është një vend tipik me regjim oligarkik dhe drejtim autoritar e qeveri klienteliste që i ka hapur dyert ndikimit të forcave të treta, sepse drejtuesi kryesor i këtij regjimi ka dëmtuar rëndë demokracinë e pluralizmin.