Që nga fillimi i qershorit, krimi ka marrë revansh, duke përgjakur Shqipërinë dhe nënshtruar policinë.
Por pavarësisht nga këto vrasje tipike mafioze në Vlorë, Shkodër, Tepelenë etj, (8 vrasje në 8 ditët e para) të cilat ende nuk kanë autorë, ministri i Brendshëm Bledi Çuçi ende nuk ka bërë ndonjë takim me strukturat drejtuese të Policisë së Shtetit dhe gjithashtu, nuk ka dhënë asnjë deklaratë për opinion publik të tronditur në këtë fillim të sezonit turistik.
Por pavarësisht nga kjo gjendje e rënduar kriminale në vend, ministri i Brendshëm duket se ka qenë mjaft i zënë me porosinë e kryeministrit Rama, për të prishur dhe gjobitur qindra e mijëra biznese e shtëpi në vijën bregdetare shqiptare nga Konispoli në Velipojë.
Ditën e sotme Çuci doli dhe foli për mediat, por nuk tha asnjë fjalë për situatën e krimit dhe territorin që në vend të policisë e ka marrë nën kontroll krimi.
Doli dhe u mburr se policët dhe strukturat e tjera të ministrisë që drejton, kanë vënë vetëm brenda një jave, plot 67 milion lekë të vjetra gjoba ndaj qytetarëve që kanë ndërtuar ‘pa leje’ gjatë këtyre 8 viteve të qeverisjes Rama!
‘Që prej nisjes së operacionit (Bregdeti Ynë) dhe deri më sot Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit krahas shembjes së ndërtimeve pa leje dhe pastrimit të inerteve, ka vendosur 67 milionë lekë gjoba për 44 subjekte. IKMT dhe Policia e Shtetit po vijojnë operacionin sipas planit të punës në ato zona të bregdetit ku janë evidentuar objektet e ngritura në shkelje të ligjit’, deklaroi Çuçi.
Pjesa më e madhe e subjekteve të gjobitura është në zonën e Ksamilit, më pas vijon me Velipojën e Shëngjinin, vende këto ku disa nga miqtë ‘oligarkë’ të kryeministrit, kanë planifikuar të ndërtojnë resorte dhe vila të kushtueshme.