Reshjet e mëdha të shiut shkaktuan vërshime dhe rrëshqitje dheu në Nepal këtë javë, duke lënë 11 të vdekur, përfshirë dy punëtorë kinez e një indian në një projekt zhvillimor, ndërsa 25 persona janë zhdukur në vende tjera, thanë zyrtarët të premten.
Trupat e tre punëtorëve u gjetën në qytezën Melamchi, në verilindje të Kathmandus, i cili është goditur nga vërshimet të mërkurën, duke detyruar shumë njerëz që të zhvendosen nga shtëpitë, thanë autoritetet lokale.
“Të huajt ishin duke punuar për një kompani kineze që është duke ndërtuar një projekt për ujin e pijes”, tha për agjencinë Reuters zyrtari lokal, Baburam Khanal, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet qendrore thanë të enjten se 25 persona janë zhdukur nga vërshimet në Sindhupalchoëk, distrikt malor në kufi me Tibetin e Kinës, dhe në disa pjesë të tjera të vendit.
Reshjet sezonale, të cilat në atë pjesë të botës fillojnë në qershor dhe zgjasin deri në shtator, shkaktojnë qindra viktima në Nepal çdo vit, kryesisht në zonat malore.
Qindra njerëz janë detyruar që të strehohen në qendra shtetërore të strehimit, përfshirë shkollat dhe tendat, thanë autoritetet.