Nga Joshua Berlinger & ;Paula Hancocks “CNN”
Kim Jong Un tani ka probleme më të mëdha se sa Shtetet e Bashkuara. Ai ka dëshpërimisht nevojë të ushqejë njerëzit e tij, dhe opsionet që ka përpara nuk janë aspak të mira. Sundimtari i diktaturës komuniste dinastike, e pranoi gjatë një fjalimi publik të martën situatën e rëndë me të cilën po përballet vendi i tij.
“Furnizimi me ushqim i Koresë së Veriut është me probleme, dhe ato vetëm sa po shtohen”- deklaroi Kim, sipas rrjetit shtetëror të lajmeve të vendit, KCNA. Sektori i bujqësisë është ende duke e marrë veten nga dëmet e shkaktuara nga stuhia që goditi vendin vitin e kaluar. Zëvendësimi i furnizimeve vendore me produkte të importit ka të ngjarë të jetë i vështirë, pasi kufijtë mbeten kryesisht të mbyllur për shkak të kufizimeve të Covid-19. Në kryeqytetin
Phenian, çmimet e disa mallrave bazë po rriten. Ekspertët thonë se çmimet e orizit dhe karburantit janë relativisht të qëndrueshme, por prodhimet e importit si sheqeri, vaji dhe mielli janë rritur ndjeshëm.Edhe kostot e disa prodhime vendase janë rritur ndjeshëm muajt e fundit. Kështu çmimi e patates është trefishuar në tregun e njohur Tongil, ku blejnë zakonisht vendasit dhe të huajt, thanë banorët e kryeqytetit. Këta të fundit zbuluan se produktet jo jetike, si një pako e vogël çaji i zi mund të shitet për rreth 70 dollarë, ndërsa një pako kafe mund të shitet më shumë se 100 dollarë.
Kim nuk bëri të ditur shkallën e mungesave ushqimore. Por Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë e Kombeve të Bashkuara (FAO), vlerësoi së fundmi se Koresë së Veriut i mungojnë afërsisht 860.000 tonë ushqim, ose ekuivalenti i pak më shumë se 2 muaj furnizime në të gjithë vendin.
Situata ishte shumë serioze që në muajin prill. Kim i nxiti koreano-veriorët të ndërmarrin një tjetër “marshim të mundimshëm”, termi i përdorur për t’iu referuar urisë shkatërruese që përjetoi Koreja e Veriut në vitet 1990, dhe që vrau qindra mijëra njerëz. Pranimi se ekonomia e planifikuar nga shteti nuk mund të ushqejë as njerëzit e saj, mund të duket si i pavend për një udhëheqës, familja e të cilit portretizohet nga propaganda zyrtare si e pagabueshme dhe gati si një Zot. Por në dallim nga babai dhe paraardhësi i tij, Kim nuk ka pasur frikë t’i pranojë gabimet ose dështimet, apo edhe të qajë para njerëzve të tij. Ai ka e modeluar imazhin e tij të brendshëm si një njeri i njerëzve të thjeshtë, si një udhëheqës që takohet vazhdimisht me popullin, dhe që
është i përkushtuar ndaj përmirësimit të jetës së përditshme të njërit prej vendeve më të varfra në botë.
Qëllimi i shpallur prej tij që nga marrja e pushtetit në vitin 2011, ishte të përmirësonte jetën e shumicës së koreano-veriorëve. Por me përjashtim të ndryshimit drastik të ekonomisë së
planifikuar dhe joefikase të Koresë së Veriut, duke çliruar gati 120.000 të burgosur politikë që besohet se mbaheshin në gulagë, ose duke u tërhequr sërish nga programi i tij i armëve bërthamore, ekspertët besojnë se Phenaini do ta ketë të vështirë të përmbushë synimin e Kim.
Marrëdhëniet me Uashingtonin dhe negociatat për lehtësimin e sanksioneve, duket të jenë një shqetësim i largët, të paktën tani për tani. Kim nuk përmendi në fjalimin e tij bisedimet me Shtetet e Bashkuara. Sipas mediave shtetërore, Kim thuhet se e ka analizuar politikën e presidentit të ri amerikan Joe Biden për Korenë e Veriut, dhe tani beson se Phenaini duhet të
“përgatitet për dialog dhe konfrontim”.
Edhe pse jo shumë qetësues, qëndrimi i Kim ndaj SHBA ishte gjithsesi më pak armiqësor sesa seria e deklaratave provokuese të publikuara nga KCNA muajin e kaluar, njëra prej të
cilave paralajmëronte nisjen e një “krize përtej kontrollit”. Gjithashtu, në janar të këtij viti Kim iu referua SHBA-së si armiku më i madh i Koresë së Veriut.
Në fakt, deklarata e fundit, mund t’i hapë derën e bisedimeve me Uashingtonin. Kur të dyja palët dështuan të arrijnë një marrëveshje në samitin midis ish-presidentit Donald Trump me
Kim në Hanoi në vitin 2019, propaganda e regjimit të Koresë së Veriut, vuri në dukje se vendi komunist nuk ishte i interesuar për bisedime të tjera, nëse Uashingtoni nuk ndryshonte
të ashtuquajturën “politikë armiqësore” ndaj Phenianit. Administrata Biden e ka bërë të qartë se Koreja e Veriut, programi i saj bërthamor, dhe akuzat për abuzime në shkallë të gjerë me të drejtat të njeriut në vend, janë një pjesë e rëndësishme e axhendës së saj në politikën e jashtme.
Në fund të prillit, Shtëpia e Bardhë përfundoi një rishikim të politikave të saj, ndërsa kryeministri Japonez Joshihide Suga dhe Presidenti i Koresë së Jugut Moon Jae-in – aleatët e
SHBA-së që janë më të interesuar mbi të ardhmen e Koresë së Veriut – ishin dy udhëheqësit e parë që takuan Joe Biden në SHBA. Sung Kim, përfaqësuesi i ri special i SHBA-së për politikën e Koresë së Veriut, shkon të shtunën në Seul për bisedime me homologët e tij të Koresë së Jugut dhe Japonisë. Ndonëse
Shtëpia e Bardhë thotë se ka në plan të ndjekë një “qasje të kalibruar, praktike”, që ndryshon nga strategjitë e përdorura nga administrata Trump dhe Obama, Koreja e Veriut mbetet e
njëjta çështje e vështirë e politikës së jashtme, që ka dëmtuar trashëgiminë e paraardhësit të fundit të Joe Biden.
Dhe ashtu si Kim, edhe Biden ka padyshim çështje më të ngutshme në axhendën e tij aktuale. Axhenda legjislative e presidentit Biden, duket se po ngec në një Kongres të bllokuar si pasojë e polarizimit të madh politik mes palëve. Po ashtu, Biden po kërkon që më shumë amerikanë të vaksinohen për të parandaluar një ringjallje të Covid-19, sidomos duke pasur parasysh shqetësimet në lidhje me përhapjen e varianteve të reja më të transmetueshme.