Kuvendi “rihap vettingun”, 2 javë nga mbarimi i mandatit, nis plotësimi i vakancave në KPK dhe KP

0
254

Pak ditë para mbylljes së mandatit, Kuvendi i Shqipërisë kërkon ringritjen e komisionit të posaçëm për zgjedhjen e anëtarëve të vettingut.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja njoftoi për plotësimin e dy vakancave për anëtarët zëvendëses në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerin Publik.

“Kemi dy vakanca. Ajo për zëvendësues i dytë për pozicionin komisioner në KPK-  për shkak të dorëheqjes së parevokueshme Pal Shkambi në datën 20.01.2021, si dhe  zëvendësues i parë për komisioner publik, e krijuar nga shkarkimi nga detyra të komisionerit publik Herald Saraçi, i cili u zëvendësua nga Dariel Sina”, deklaroi Manja.

Një nga dy anëtarët e Komisionerit Publik, Dariel Sina është kualifikuar për të qenë pjesë e trupës së Gjykatës së Lartë, por ndryshimi i pozicionit ishte pezulluar për shkak të vakancës që mund të krijohej në organin e vettingut. Me lëvizjen e fundit, Kuvendi plotëson dy vakanca në organet e vettingut si dhe krijon terren që Gjykatës së Lartë t’i shtohet edhe një anëtar tjetër. Në pamje të parë qasja është pozitive. Pikëpyetje ngre nxitimi me të cilin po hidhet ky hap.

“Ky proces natyrisht do të kërkonte ringritjen e komisioneve të posaçme parlamentare për përzgjedhjen e kandidatëve, në mënyrë që të lejohet përfundimi i procesit gjatë mandatit të kësaj legjislature”, deklaroi Kreu i Komisionit të Ligjeve.

Kjo legjislaturë përfundon në datën 8 korrik, ndërsa Kuvendi ka në kalendar zhvillimin e dy seancave të fundit parlamentare. Brenda këtyre pak ditëve, Kuvendi duhet të votojë ringritjen e komisioneve të posaçme, edhe këtë herë me votat e opozitarëve zëvendësues të PD dhe LSI-së. “Sigurisht jemi të detyruar, e para të vendosim komunikimin me kandidatët e listës së vitit 2017 nëse i qëndrojnë ende interesit, edhe e dyta, gjatë kësaj periudhe, nëse kandidatët janë në kushtet e zgjedhshmërisë”, vijoi Manja.

Mesa duket, deputetët e kësaj legjislature do të kenë në CV e tyre jo vetëm votimin për shkarkimin e Presidentit, por edhe zgjedhjen e dy anëtarëve në organet e vettingut, ndërsa vetëm në shtator, PD dhe LSI rimarrin karriget e tyre në Kuvend si opozita e pas 25 prillit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here