Zbardhet i plotë formulari dhe dokumenti që Partia Demokratike u ka dërguar degëve në qarqet e vendit mbi në bazën e të cilit do të bëhet analiza e zgjedhjeve të 25 prillit.
Në raport do të duhet të përfshihen të dhëna të hollësishme nga zgjedhjet e vitit 2009, 2013, 2017 që do të krahasohen me ato të këtij viti. Gjithashtu, në raport do të analizohen faktorët e jashtëm dhe të brendshëm që kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor.
Te faktorët e jashtëm, PD, u kërkon drejtuesve të qarqeve të identifikojnë personat me ndikim që kanë punuar kundër PD-së, niveli i angazhimit të tyre dhe format e përballjes.
Këtu përfshihen faktorë të jashtëligjshëm që përfshihen në fushata elektorale si krimi i organizuar, administrata, bizneset e lidhura me qeverinë dhe Policia e Shtetit.
Ndërsa te faktorët e brendshëm (PD) përfshihen listimi i personave me ndikim që kanë kontribuar, vlera e shtuar që ka sjellë koalicioni dhe gjendja e strukturës së partisë.
Raporti që duhet të plotësohet nga strukturat e PD-së, përmban edhe kritere që lidhen me performancën e tyre. Dokumenti do të duhet të dorëzohet brenda datës 5 korrik, ndërsa 5 ditë më pas, të dhënat për çdo qark do t’i dorëzohen kryesisë së Partisë Demokratike.
Më 17 korrik, PD thërret edhe Kuvendin Kombëtar, ku drejtuesit e qarqeve do të japin llogari për rezultatin e 25 prillit dhe nëse do jetë e nevojshme do ketë zgjedhje edhe në struktura.