Ditën e sotme, Këshilli Bashkiak i Vlorës ka kërkuar sërish një mbledhje me kryetarin e Bashkisë, Dritan Lelin në teatrin e qytetit.
Por Leli ka dërguar një letër duke shpjeguar arsyet përse kjo mbledhje nuk mund të zhvillohet, duke cekur ndër to si më kryesoren faktin e Ministria e Shëndetësisë nuk lejon këto mbledhje për shkak të gjendjes së pandemisë.
Ndërsa këtë pretendim e ka hedhur poshtë anëtarja e Komitetit të Ekspertëve, Mira Rakacolli, e cila në një përgjigjie të dërguar ndaj sekretarit të Këshilit Bashkiak, ka thënë se realizimi i kësaj mbledhje ishte i mundur dhe se rasti i Vlorës përbën përjashtim.
“Përsa i përket Urdhrit të Ministres së Shëndetësisë ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo te hapura’, qëllimi ka qenë ndalimi i grumbullimeve të posaçme, që sikundër përmendet në urdhër, lidhet me tubimet, konferencat, mbledhjet partiake, ceremonitë festive etj. ku rreziku i trasmetimit të virusit është shumë i lartë.
Përsa më sipër ky urdhër nuk cenon aktivitetin e Këshillit Bashkiak, pasi zhvillimi i mbledhjeve është vijimësi e punës së Këshillit Bashkiak, një praktikë që përdoret edhe nga institucione të tjera që punën e tyre e mbështesin mbi organe kolegjiale.
Sot Vlora paraqet një situatë epidemiologjike të mirë, pa asnjë rast Covid. Sigurisht, këto mbledhje duhet të zhvillohen në përputhje me protokollet anti-Covid të miratuara si respektimi i distances, mbajtja e maskes, kushtet higjenosanitare etj”, thuhet në përgjigjen e Rakacollit.