Një shqiptar, 43 vjeç është dënuar 15 vjet burg nga autoritetet britanike, pasi ka pranuar akuzat për trafik kokaine dhe pastrim të parave.
Mediat në Britani shkruajnë se Ervin Patru u arrestua në shtëpinë e tij në Harrou, në kuadër të një hetimi të filluar në vitin 2020.
Hetimet nisën pasi oficerët e policisë analizuan disa mesazhe të shqiptarit në Encrochat, një rrjet komunikimi që përdoret kryesisht nga anëtarët e krimit të organizuar për të planifikuar aktivitete kriminale.
Me pseudonimin ‘veteranbeer’, 43-vjeçari shqiptar shkëmbeu 14 000 mesazhe në lidhje me shitjen e drogës të klasit A. Mesazhet u gjetën gjithashtu që lidhnin Patru me një arrestim të mëparshëm, kur një shtetas shqiptar u gjet me katër kilogramë kokainë pas një ndjekje të shpejtë të policisë.
Pas hetimit, ai u akuzua më 11 dhjetor të vitit të kaluar për furnizime të drogës të klasit A dhe pastrim parash. Patru u deklarua fajtor për të gjitha akuzat dhe u dënua të martën nga gjykata me 15 vjet burgim.