Publikimi i videos së një familjeje pushuesish, të cilët ndiqen nga pas me makinë dhe motor nga pronarët e vilës ku kishin qëndruar një natë në Livadh të Himarës ka shkaktuar një reagim të madh publik për shërbimin që ofrohet në vend gjatë sezonit të verës.
Katerina Joshi, bashkë me një punonjësin e saj si edhe një person tjetër që drejtonte makinën tip “Toyota Yaris” i prenë rrugën familjes Mato, duke i kërkuar sipas saj që të paguante dëmin e shkaktuar përmes djegies me hekur të disa çarçafëve gjatë qëndrimit atje.
Ndërkohë, turistët nga ana e tyre mohojnë diçka të tillë duke theksuar se shkaku i këtij reagimi i të paprecedent ishte fakti se ata kishin dashur të largoheshin një natë më herët nga sa kishin prenotuar për shkak të kushteve të këqija.
Pronarja e Vila “Natali”, ku ndodhi ngjarja, Katerina Joshi ka folur për “Abc News” duke thënë se shkaku i prerjes së rrugës me makinë nuk ishte largimi një natë para i turistëve, por dëmi i shkaktuar nga djegia e çarçafëve.
Joshi pretendon gjithashtu se turistët i kanë fyer pastruesen dhe recepsionisten.
Madje, Joshi thotë se ishin vetë turistët që e bënë me të qarë fëmijën e tyre për ta përdorur më pas kundër pronarëve të Vila “Natali”.
“Ai përdori fjalor fyes ndaj recepsionistes dhe pastrueses. Qëndrimi jonë në rrugë nuk ishte për pagesën, por për të pritur policinë.
Në momentin që ai u largua në atë mënyrë unë njoftova policinë e Himarës dhe në pritje të saj i pengova rrugën.
Policia erdhi, por ai nuk e priti, u largua. Nëse ai do ishte i pastër duhet të kishte qëndruar. Ne nuk i kemi bërë terror as atij dhe as familjes, përkundrazi ai përdori fëmijën duke e bërë për të qarë”, shprehet ajo për Abc News.