Qarku Korçë. Vijon operacioni policor “Perimetri”. U kap duke transportuar dy emigrantë të paligjshëm, kundrejt shpërblimit, vihet në pranga 53-vjeçari. Arrestohet edhe 1 shtetas tjetër, i cili theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar nga Gjykata në kuadër të këtij operacioni.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. M., 53 vjeç, banues në Pogradec, i cili u kap në afërsi të fshatit Gurishtë, Maliq, duke transportuar me mjetin tip “Volkswagen”, dy emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt shpërblimit.
Gjithashtu, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. O., 17 vjeç, banues në Tiranë, i cili u kap duke thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi” të caktuar me vendimin e datës 30.05.2021, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.