Ku fle lepuri i ‘Konstitucionalistëve’ të Rilindjes?

0
124
Nga Bledian Koka 

Në do të kuptosh nëse një vendim i Gjykatës Kushtetuese është i drejtë apo jo, mjafton të shikosh sot turravrapin e ‘konstitucionalisteve’ kalmenxhinj të Rilindjes si i janë sulur vendimit të GJK-së për të kërkuar opinion tek Komisioni i Venecias, jo për një vendimmarrje të mundshme sa i takon legjitimitetit te Votimeve te 30 Qershorit, por për ti bërë vetëm disa pyetje.

Menjëherë sot vërshuan bataretë e titujve anatemues për trupën e GJK-së e cila në provën e parë tregoi që nuk është afër Rilindjes, por me shumë afër të vërtetës kur i dha të drejtë Presidentit të Republikës për të mos dekretuar Gent Cakajn, si Ministër të Jashtëm.

Vendimi i parë u gëlltit në heshtje nga Rilindja se fundja, Gent Cakaj nuk i duhet më si trofe Edi Ramës. Ama vendimi për Votimet e 30 Qershorit është tjetër gjë. Një vendim logjik i GJK-së do të ishte përsëritja e zgjedhjeve lokale në të gjithë vendin për shkak të regjistrimit jashtë afateve të Bindjes Demokratike si forcë politike. E në rast se kjo shkelje me lejen e mazhorancës nuk do të konsiderohet si e tillë, atëherë zgjedhjet do të duhej të përsëriteshin në të gjithë ato zona ku nuk pati zgjedhje, por vetëm votime për kandidatin e Rilindjes, ose konkretisht plot 35 nga 61 bashki që janë në total.

Në çdo rast kjo do të ishte rikthim në shinat e logjikës së demokracisë.

Çdo vendim tjetër do të ligjëronte atë që sot e gjithë ditën e themi me qesëndinë e fjalës ‘autokraci’. Por sot, presioni i ‘konstitucionalistëve’ kalemnxhinj të Rilindjes ka një tjetër merak. Jo atë të Presidentit të Republikës, por fatin e mirëfilltë politik të Erion Veliajt që varet tek vendimi i GJK-së mbi shembjen e Teatrit Kombëtar.

Sepse në rast të një vendimi të pritshëm që e konsideron aktin e natës së zezë të 17 Majit të 2020 si shkelje, Erion Veliaj në një shtet normal do të duhej të ndiqej penalisht. Prandaj sot të gjithë ata kalemxhinj që nxijnë faqet e portaleve me titujt kundër Gjykatës Kushtetuese, kanë nisur aksionin për ta nxjerrë faqebardhë ‘faqeziun’ në krye të Bashkisë së Tiranës.

Zullumit të tij në ‘punëmbarimin’ e çdo urdhëri parapolitik prej Edi Ramës po i rreh tik-taku i përballjes me ligjin, dhe nëse drejtësi ka ai do të këputet! Shpallja e pavlefshme e zgjedhjeve të 30 Qershorit do të ishte hapi i parë i zhveshjes lakuriq nga pushteti politik, për Erion Veliajn.

Ndërsa vendimi i dytë e i pritshëm nga Gjykata Kushtetutese që e konsideron shembjen e Teatrit Kombëtar ashtu siç është, një KRIM, do ta dekapitonte përfundimisht e politikisht Uria Hipin e Bashkisë së Tiranës.

Pyetja me përgjigjen brenda që Komisioni i Venecias do të duhet ti përgjigjet është vetëm një: Kush prevalon më shumë në demokraci, PERIDOCITETI apo PLURALIZMI? Dhe pikërisht nga kjo pyetje sulmi mediatik ndaj Gjykatës Kushtetuese sapo ka nisur.

Ai do të ndalet vetëm atë ditë, kur ata që doroviten për të lehur kundër saj nuk do të kenë më në krye të Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, shkurrja ku fle lepuri i ‘konstitucionalistëve’ të Rilindjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here