Prokuroria e Fierit, ka lexuar pretencën për tre nga anëtarët e fisit Çilotaj në Fier, të akuzuar për veprat penale të “Falsifikimit të dokumenteve shkollore”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike” dhe “Fabrikimit të lëndëve narkotike dhe psikotrope”.
Prokurori i çështjes Petrit Vukaj, lexoi para gjykatës së Fierit rezultatet e hetimit duke kërkuar deklarimin fajtor dhe dënimin me 20 vite burgim për Vladimir Çilotaj alias Shpërdheja.
“…por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim t’i zbritet në kuotën e 13 vjet e 4 muaj burgim…”-thotë prokurori në pretencën e tij.
Më tej Prokuroria ka kërkuar dënimin me 4 vjet e 8 muaj burgim për Agur Çilotaj alias Shpërdheja.
Një pjesë të këtij dënimi, Aguri e ka vuajtur ndërsa për pjesën e mbetur, Prokuroria i ka kërkuar Gjykatës së Fierit, që ta pezullojë dhe të vendosë Agur Çillotaj në shërbim prove për një periudhë 5 vjeçare me kushtin që i pandehuri të mos kryejë asnjë vepër penale.
Plot 4 vite e 8 muaj burgim, Prokuroria ka kërkuar edhe për Jonida Çilotaj alias Shpërdheja, e cila në këtë gjykim akuzohet për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”.
Mes personave të pandehur nga Prokuroria në këtë çështje, është dhe Xhevair Troka një pronar “Exchange” në Fier, për të cilin është kërkuar dënimi me 5 vjet e 4 muaj burgim.
E pandehur është marrë dhe subjekti “Ladi 2008”, për të cilën është kërkuar dënimi “Mbarimi i personit Juridik”.
Ndërsa në lidhje me pasuritë të cilat janë vendosur nën sekuestro preventive qysh prej Majit 2018 nga gjykata e Fierit, si prona të paluajtshme, llogari bankare, shoqëri tregtare, automjete dhe asete në emër të të pandehurve, Prokuroria ka kërkuar konfiskimin e tyre dhe kalimin në favor të shtetit.
Pritet që javën e ardhshme Gjykata e Fierit të vendosi për dënimin ose jo të personave të pandehur.
Pretenca e prokurorisë
Vladimir Çilotaj 13 vjet e 4 muaj burgim
Agur Çilotaj 4 vjet e 8 muaj burgim
Jonida Çilotaj 4 vjet e 8 muaj burgim
Xhevahir Troka 5 vjet e 4 muaj burgim
Subjekti “Ladi 2008” “Mbarim personi Juridik”