Vendimi për Teatrin Kombëtar, Flutura Açka: A duhet të gëzohemi apo ende lepuri fle diku?

0
95

Fituesja e mandatit të deputetit, shkrimtarja Flutura Açka, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Teatrit Kombëtar. Ajo është në dilemë nëse duhen të gëzohen, apo lepuri fle diku tjetër. ”E përshëndes vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, por sa kohë shembësit e tij nuk do të ndëshkohen, por do të vazhdojnë me arrivizmin e tyre kozmik të shkatërrojnë Tiranën dhe të ëndërrojnë që një ditë t’i vënë gjithë Shqipërisë pamjen e portretit të tyre të pavizatueshëm, frymën e tyre arrogante, bullizmin e tyre ndaj fjalës së qytetarit shqipar, unë do të vazhdoj të jem dyshimtare”,-shkruan Açka në një postim në facebook.

Postimi i plotë

A duhet të gëzohemi për Teatrin, apo ende lepuri fle diku?

Dje, rastësisht në një studio televizive, pak minuta para se të flisnim për temën për të cilën ishim mbledhur, çështja e teatrit dukej sikur ishte e vetmja stikadente për të shpëtuar nga dhembja e gingivave që na kanë krijuar padrejtësitë e bëra pirg para nesh. Disa nga miqtë ishin dyshues, disa krejt pesimistë se në “këtë vend kurrë nuk do të ketë drejtësi”, të tjerëve iu duk e tepruar ajo çfarë u thashë:

“Çështja e Teatrit do të vendosë çdo të bëhet me 20 vitet e ardhshme të demokracisë, a do ta marrë në dorë buldozeri i egos, parasë dhe kriminelëve me pushtet historinë dhe kulturën shqiptare, apo do të shpëtohet demokracia jonë, pra që protesta bën sens, që shumica vendos, që ligji është mbi të gjithë. Shfaqja si ajo e orëve në të gdhirë 17 majit 2020 ishte një nga shfaqjet më të shëmtuara në historinë e shtetit shqiptar.

Ata që nuk u tronditën nga shfaqja e armëve, policëve, dhunës së shtetit mbi një grusht artistësh dhe një godine (shembjes së të cilës do t’i mjaftonte një referendum i ndershëm), ose janë naivë dhe nuk e kuptojnë se çfarë po ndodh, ose pranojnë përuljen nga partia-shtet pa kurfarë dyshimi, ose janë antishqiptarë.”

Teatri e preu me thikë demokracinë tonë. Nuk është çështja të fitojë një e drejtë e dhunuar, as t’u jepet e drejta qëndretarëve të Teatrit, një prej rezistencave më e të bukura të demokracisë, por t’i thuhet ndal kujtdo që e kujton demokracinë shqiptare dhe shtetin si çifligun e vet.

E përshëndes vendimin e sotëm të Gjykatës Kushtetuese, por sa kohë shembësit e tij nuk do të ndëshkohen, por do të vazhdojnë me arrivizmin e tyre kozmik të shkatërrojnë Tiranën dhe të ëndërrojnë që një ditë t’i vënë gjithë Shqipërisë pamjen e portretit të tyre të pavizatueshëm, frymën e tyre arrogante, bullizmin e tyre ndaj fjalës së qytetarit shqipar, unë do të vazhdoj të jem dyshimtare.

Nuk kam tagër të gjykoj vendime të tilla, por nëse dikush më bind të mos dyshoj e t’i bashkohem festës, do ta bëj. Por sërish mbetet një çështje e hapur dhe mjaft delikate: A do të pranojmë këtë teatër freskoro-xhamllor (i përshtatshëm për në Norvegji ku s’ka dritë) si ikonë të Teatrit tonë Kombëtar. Njëqind milje le të kapërcejnë arkitektët dhe të zgjedhin për ne një teatër klasik italian. Ata nuk dalin kurrë nga moda. Por kurrë ne qytetatrët shqiptarë nuk duhet të lejojmë të ndërtohet kjo shëmti. Në mos: Teatri aty ku qe, siç qe!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here