Alban Berisha, kunat i ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, rezulton investitor dhe posedues (me letra) i një prej fermave më luksoze në Shqipëri.
Ferma është e pozicionuar në një kodrinë pranë fshatit Vishaj në Tiranë, ndërsa ambientet e shërbimit janë të rrethuara nga disa hektarë tokë bujqësore që punohet me autokombajnë.
Ambientet e shërbimit janë të konceptuara si një kombinacion i agrobiznesit në Toskanë të Italisë me “ranchot” meksikane.
Kunati i ministrit posedonte deri pak kohë më parë një restorant në zonën e Laprakës, një biznes krejt modest nëse e krahason me investimin e tij të ri në fermën e re.
Zoti Alban Berisha rezulton se ka nisur investimin në janar 2021 kur ka regjistruar dhe kompaninë “Ferma 100”.
Hashtag.al konsultoi një ekspert kontabël dhe një arkitekt për të marrë mendimin e tyre në lidhje me investimin e kunatit të ish-ministrit.
“Investimi është fjala e fundit e paisjeve, mjafton të shohësh vetëm kuzhinën dhe servisin e shërbimit dhe kupton se kostoja është të paktën 250 mijë euro “, – u shpreh arkitekti.
Ferma është investuar në disa mjedise luksi të tipit “rancho lounge” që janë kombinacion i mjedisit të strukturuar bujqësor me fjalën e fundit të luksit mondan të hoteleve në metropole.
“Rancho lounge” është një subkulturë që i ka fillesat e saj në Meksikë, kryesisht investime të narkotrafikantëve meksikanë, që i shndërrojnë bazat e tyre të qëndrimit dhe në mjedise të një biznesi mikpritës të cilësisë më të lartë.
“Ferma 100” në pronësi të kunatit të ish-ministrit Tahiri duket se ka për klientelë personalitete shqiptare dhe miq të ish-ministrit.
Hashtag.al