Një ditë pasi kreu i SPAK Arben Kraja paralajmëroi arrestime të zyrtarëve të lartë për abuzim me fondet FNSH kanë zbarkuar në Lushnjë ku është arrestuar kryebashkiaku Fatos Tushe si dhe 10 persona të tjerë.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi për “BalkanWeb” se prokurorja Manjola Kajana ka kërkuar arrestimin pas dyshimeve dhe hetimeve për korrupsion dhe abuzim me fondet. Mësohet se mes të arrestuarve ka ish-zyrtarë dhe biznesmenë.
“Përveç zotit Tushe janë arrestuar dhe 10 persona të tjerë. Disa prej tyre ish-zyrtarë dhe të tjerë janë persona që kanë përfituar nga abuzimi me fondet publike. në mesin e të arrestuarve dhe biznesmenë.
Fatos Tushe i mbijetoi një atentati më 31 dhjetor 2019. Ai ndodhej në zyrën e tij, kur ish-shoferi i tij i hodhi një sasi tritoli, nga i cili mbeti i plagosur bashkë me sekretaren. Aso kohe pati dyshime për përfshirje në afera por prokuroria e mbajti në sekret të plotë hetimin.
Aktualisht është duke u ushtruar kontroll në zyrat e bashkisë së Lushnjës dhe disa institucione të tjera dhe në banesat e të ndaluarve.
Ky është rasti i parë që SPAK godet një kryebashkiak, pra të zgjedhur dhe e dërgon atë në burg.
Ka dyshime për abuzime me fonde publike dhe ndaj masat e arrestit me burg janë parë të nevojshme. Operacioni me urdhër të SPAK është ekzekutuar në orët e para të mëngjesit dhe ka qenë një situatë e pazakontë.
Zoti Tushe është mbajtur në ambientet e bashkisë deri sa është përfunduar kontrolli në ambientet e bashkisë. Më pas ai do të shoqërohet në ambientet e drejtorisë së Policisë, ndërsa personat e tjerë janë vendosur në qeli”, raportoi Lala.