Që prej goditjes së grupit “Shpirti”, në kryeqytet po vlon ‘legjenda’ se SPAK po punon dhe se Prokuroria e Posaçme e ka ngritur stekën e hetimit deri në radhët e veta. Janë dy dosje të ditëve të fundit, të cilat përveçse kanë futur dhjetra persona prapa hekurave kanë hapur edhe misterin për tri personazhe të tjerë që ende nuk dihet se kush janë. Publiku i pëlqen gjëegjëzat dhe loja se “kush është i radhës”, po ngjit në audiencë.
I pari personazh ende i pazbuluar për publikun është Prokurori i SPAK që është kapur në përgjimet e dosjes “Shpirti”. Kolegu i dy prokurorëve Vladimir Mara dhe Dritan Prençi është zbuluar teksa komunikon me disa nga të arrestuarit e grupit “Shpirti” dhe tashmë është nën hetim për një lidhje të mundshme të tij me grupin. Kush është ai? Ende nuk dihet, por numri i ulët i anëtarëve të SPAK, vetëm 12 prokurorë, lë vetëm këto 10 alternativa: Arben Kraja, Altin Dumani, Edvin Kondili, Klodian Braho, Behar Dibra, Ened Nakuçi, Enkeleda Millonai, Elida Celami (Kaçkini), Sotir Kllapi dhe Manjola Kajani.
Personazhi tjetër dhe ndoshta më i “implikuar” në raport me përgjimet e publikuara është politikani B. Emri i tij është zbuluar në dosjen voluminoze të kryebashkiakut të arrestuar të Lushnjes, Fatos Tushe. Politikani në fjalë nuk del në asnjë moment vetë në skenë, por persona të tretë si biznesmeni Ibrahim Lami dhe Drejtori i Ndërmarrjes së Pasurive Publike, Flamur Peqini, e përshkruajnë si aleatin e tyre. Miqtë në “krim”, thonë se “B” është njeri me influencë në Tiranë, parlament dhe qeveri dhe se është një person që ka kompetencë edhe për të zhvilluar mbledhje me kryebashkiakun Tushe. Kush është ai? Edhe kjo është një tjetër gjeagjëzë. Tre janë emrat më të mundshëm, i pari është zv/kryeministri Erion Braçe, deputet i Fierit dhe i deleguar në Lushnje, i dyti, deputeti i ndjerë Bashkim Fino, edhe ky deputet i qarkut Fier dhe i treti, deputeti Bujar Çela.
Në hetimin e SPAK edhe një gazetar? Ky është pretendimi që kanë disa nga gazetarët e kronikës. Përse akuzohet gazetari? Gazetari në fjalë, i cili nuk dihet se kush është, akuzohet se ka përfituar nga karburanti i shtetit. Fatos Tushe, pasi kishte vendosur shtetin në funksion të dy fëmijëve të tij, djalit dhe vajzës, njërit i mbushte makinën me naftë dhe tjetrit i merrte provimet tek Mjekësia me ndërhyrje, karburantin e kishte si “qokë” për të gjithë miqtë e tij. Në njërën nga bisedat, gazetari telefonon Tushen dhe Tushe i thotë se do flas me stafin e do të dalë dikush që ta presi tek karburanti.
Djali i deputetit mori naftë për pushime. Përveç gazetarit edhe djali i një deputeti përfiton naftë falas nga kryebashkiaku. I riu e merr në telefon vetë Fatos Tushen dhe i kërkon karburant pasi do të ikte me pushime.
Djali i deputetit: Përshëndetje, si jeni, si keni qenë mirë?
Fatos Tushe: Përshëndetje miku im, faleminderit mirë
Djali i deputetit:Ju pengoj, jeni me pushime besoj
Fatos Tushe: Jo, jo
Djali i deputetit: Unë nesër do iki me pushime…
Fatos Tushe: Është ok, po nesër në mëngjes ku do kalosh ti
Djali i deputetit:: Epo nesër në mëngjes aty do të kaloj unë, do futem në Lushnje, aty nga ora 7:30 besoj
Fatos Tushe: Epo mirë, të nxjerr këtë drejtorin e burimeve njerëzore unë, Turi. se unë do jem te karburanti.