Nga Gëzim Saliu
Përmes një diskursi të gjatë, krejt tipik i tij, kryeministri Rama dha sot para kryetarëve të bashkive të vendit paralajmërimet e fundit para se ato të përfundojnë sipas tij si Fatos Tushe i Lushnjes. E në fakt, nëse kjo mbledhje do të kshte thirrur nga një kryeministër që vinte për herë të parë në detyrë, duke mos pasur mbi supet e tij një itenerar të gjatë vendimesh më së paku të dyshimta, do dukej gjithçka krejt normale ( megjithëse në asnjë vend demokratik nuk ndodh që kryeministri të rreshtojë kryebashkiakët e zgjedhur nga qytetarët e t’u kërkojë llogari e madje t’i presionojë me burg. Por diskutim tjetër ky që lidhet pazgjidhmërisht me atë që po zbatohet prej kohësh në Shqipëri, shkrirja në një mes shtetit dhe partisë ).
Përpara kryebashkiakëve sot po artikulonte kryeministri i dy mandateve në pushtet, ku përciptazi po përmendim ‘rekordet’ e qeverisjes së tij: fenomeni i kanabizimit të vendit dhe shifrat rekord të trafikimit, kriminalizimi i administratës dhe parlamentit, PPP-të dhe oligarkët përfitues, emigrimi masiv me rrezik shpopullimin e vendit apo edhe varfëria e tejskajshme si pasojë e politikave ekonomike krejtësisht arbitrare.
Interesant në gjithë artikulimin plot kritika e shantazhues të kreut te qeverisë ndaj kryebashkiakëve, të cilët falë zgjedhjeve moniste të 30 Qershorit 2019 i përkasin të njejtës parti që drejton Rama, ishte paralajmërimi për tenderat. “88.5% e procedurave kanë rezultuar me probleme, në hartimin e kritereve, ndaj dhe bashkive përkatëse u janë dërguar rekomandime precize nga Agjencia e Prokurimit Publik. 52.5% e bashkive nuk kanë reaguar dhe nuk kanë bërë asnjë reflektim në proces të rekomandimeve teknike të saj.”, tha kryeministri sot.
Por nëse ka një ‘elefant’ të tenderave me flamur të kuq ajo mbetet qeveria e drejtuar nga zoti Rama. Kështu organizata monitoruese Open Data Albania, i tha sot Zërit të Amerikës se tenderat e qeverisë ua kalojnë bashkive për sa u takon mungesës së konkurrencës, anullime të përsëritura, negocime dhe mos-respektim.afatesh. Vërtet bashkitë kane nivel 30 % tendera me risk për korrupsion dhe abuzime, por bashkitë nuk janë sektori më problematik. Sipas Open Data, me të njëjtën metodologji janë 40% e tendera të sektorit të shëndetësisë, që vlerësohen me risk të lartë për korrupsion dhe klientelizëm. Po ashtu paraqiten edhe tendera të Autoritetit të Rrugëve apo Fondit Shqiptar të Zhvillimit, të cilat karakterizohen nga përqendrim fondesh në pak biznese.
Edhe në këtë rast, ashtu sic ka ndodhur edhe me mjaft çështje të tjera, qeveria harron të drejtojë gishtin nga vetja dhe indirekt merret me palët e treta apo vartësit, duke shmangur qartazi përgjegjësitë e saj.
E ndërsa ‘elefanti’ i tenderave rezulton qeveria, ‘ujku’ i tyre padyshim është kryebashkiaku i Tiranës Erjon Veliaj. Në shumë nga prokurimet publike, Bashkia Tiranës e drejtuar nga Veliaj, tenderat shfaqin probleme të shumta. Sipas Open Data 22.8 për qind e tenderave në bashkinë e Tiranës konsiderohen të dyshimta, duke vendosur flamur të kuq për 610 procedura, për shkak të mungesës së konkurrencës ose skualifikimit të konkurrentëve duke lënë në garë vetëm fitues. Kur një prokurim shoqërohet me shenjën e flamurit të kuq tregon një ekspozim apo rrezik të mundshëm për sjellje të papajtueshme me ligjin ose jo-etike të biznesit.
Dhe për t’i vënë kapakun gjithë çështjes mjafton vetëm një shifër: Në tre muajt e parë të këtij viti 145 tendera janë ankimuar në Komisionin e Prokurimeve Publike, ku Tirana zë vendin e parë me plot 84 raste të ankimuara. Pra më shumë se gjysma e të gjitha bashkive së bashku.