Nga Gëzim Saliu
“Bashkë për Ndryshim”! Me këtë slogan, Lulzim Basha paraqiti shqiptarëve platformën e koalicionit opozitar për zgjedhjet e 25 prillit 2021, alternativë e cila dukshëm u ngrit mbi atë të kundërshtarit politik, por që theksueshëm i mungoi elementi thelbësor për të qenë fituese; BESIMI!
Që shqiptarët të përqafonin në masë ndryshimin e propozuar nga PD dhe aleatët e saj më së pari ata duhet të besonin thellësisht se ky ndryshim do të ndodhte realisht. Dhe sot kur jemi më të ftohtë në raport me analizën e zgjedhjeve të 25 prillit, mund të evidentojmë pa paragjykime dhe mbi bazën e shifrave, faktin se PD nuk mundi të krijonte kushtet për një votë referendare. Pjesëmarrja në votime nuk ishte fare ajo e pritshmërive të demokratëve, ndërkohë që elektorati gri edhe këtë herë qëndroi në shtëpi dhe nuk favoizoi ndryshimin e shumëpritur.
Por cilat janë disa nga arsyet e këtij besimi të munguar të shqiptarëve te PD? Më poshtë po rendis dy prej tyre që i cilësoj si më të rëndëisshmet por që jam i bindur që gjithkush që po i lexon këto rradhë mund të shtojë edhe dhjetëra të tjera:
1-PD në këto zgjedhje solli pak ose aspak risi në listat e kandidatëve dhe kjo padyshim mund të cilësohet si një ndër faktorët përcaktues në garën e 25 prillit. Kundërshtari i saj, nisur edhe nga fakti se vinte nga 8 vite pushtet, ndoqi një strategji krejt tjetër. PS e Ramës u paraqit para shqiptarëve me një ekip që drejtohej në qarqe nga emra thuajse anonim, njerëz të cilët kontributin më të madh të tyre politik para zgjedhjeve kishin pasur pjesëmarrjen në mbledhjet e partisë në bazat përkatëse. Shumëkush e dinte atëherë dhe e di më mirë edhe sot se prurjet e reja në listat e PS-së ishin thjesht fasada e radhës në teatrin e madh që ka vënë në skenë Rilindja që nga 2013-ta kur erdhi në pushtet. E megjithatë, edhe në këto zgjedhje u vërtetua edhe një herë se strategjia e freskimit të ekipit përbën një pikë favorizuese në garën elektorale.
Emrat e vendosur në krye të listave të PS dhe ato që i pasonin ishin njerëz që në këto 8 vite qeverisje nuk ishin përlyer drejtpërsëdrejti në aferat marramendëse të Rilindjes, ose më së paku nuk njiheshin publikisht si të tillë. Ndërkaq ish-ministrat, ministrat në detyrë dhe rilindasit që edhe vetë socialistët i dëshironin jashtë listave në 25 prill, Rama i vendosi në vijën e zjarrit duke u thënë: ose fitoni vendin tuaj ose jeni jashtë nga parlamenti i ardhshëm.
Krej e kundërta ndodhi me PD-në, ku edhe një herë kryedemokrati Basha tregoi mungesë intuite dhe strategji të gabuar sa i takon përballjes në betejën elektorale. Prurjet e reja në listën e PD-së numëroheshin me gishtat e duarve, ndërsa edhe një herë si në 2017-ën, shoqëria civile, grupet e interesit si edhe bota akademike u përfshi fare skajshmërisht në listat e 25 prillit. Nuk ndodhi hapja e madhe, ajo që u krye me sukses të pashoq nga Berisha me KOP-in e famshëm të 2005-ës, nga i cili doli fundja si produkt politik edhe vetë Lulzim Basha. Ky i fundit u mjaftua me besnikët e tij si kryesues të listave e ndërsa aleatëve u siguroi vende të sigurta pa marrë më parë garancitë për vota që mund të sillnin këto parti në zgjedhje. Askush nga ekipi “Basha” i viteve 2017-2021 nuk u sfidua me testin e thyerjes së herësit apo më së paku në limitin e objektivit të vendosur për qark. I vetmi që u vendos aty ku nuk pritej, dhe kjo për arsye të tjera që nuk u lidhën aspak me taktikën elektorale, ishte Luçiano Boçi në Elbasan. Dhe rezultati i Boçit që mundi të thyejë herësin dhe të ishte fitues në qarkun e Elbasanit ishte ai që provoi strategjinë e gabuar të zgjedhur nga Basha për 25 prillin.
2- PD u përfshi në garën e 25 prillit me mangësi të theksuara në raport me kundërshtarin. Nëse do ta imagjinonim 25 prillin si një garë 100 metërshi, PS e nisi këtë garë në vijën e 30 metërshit, ndërsa PD ende nuk ishte nisur në start. Gabimet me djegien e mandateve dhe për më tepër me mos pjesëmarrjen në zgjedhjet vendore të 30 Qershorit 2019 i siguruan kundërshtarit një avantazh të theksuar në betejën elektorale, që për ta superuar do të duhej një votë referendare , ndryshe do ishte mision i pamundur.
Ndërkaq këto dy vendime fatale të demokratëve dhe opozitës së bashkuar nuk shërbyen vetëm për t’i dhënë një avantazh të theksuar politik kundërshtarit por u perceptuan në masë edhe si një thyerje e besimit të votuesve dhe pritshmërive të tyre ndaj PD-së. Nuk është turma e militantëve apo edhe nëse doni e mijëra shiptarëve të zemëruar me qeverinë që marrin pjesë në protesta , ajo që përcakton vijën që duhet të ndjekë një parti e madhe siç është PD-ja. Ka me dhjetëra mijëra të tjerë që nuk marrin pjesë në protesta e që nuk janë as militantë të opozitës, por që thellësisht ishin dhe vazhdojnë të jenë kundërshtarë të heshtur të kësaj qeverie. Dhe ndaj tyre PD ka detyrime, pasi është partia më e madhe e opozitës dhe detyrimisht partia që është alternativa e ndryshme e PS-së. Ndaj, bojkoti i zgjedhjeve dhe si pasojë mbetja pa alternativë e ‘votuesve të heshtur’ në zgjedhjet vendore ishte një tjetër minus i madh në raportin e thyer të besimit mes PD-së dhe qytetarëve.
Sa më sipër, nuk i heq nga ana tjetër asnjë presje konstatimeve dhe fakteve për një proces zgjedhore fare të padrejtë dhe në kushte të pabarabarta gare, duke mos përjashtuar këtu mbështetjen e pakushtëzuar të elementëve me rekorde kriminale ndaj partisë në pushtet .
Përdorimi i shtetit në favor të partisë ishte në këto zgjedhje më evident se kurrë; u përdorën fondet e tërmetit për vota, ku vetëm tre ditë para zgjedhjeve në kontot bankare të qytetarëve të prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 u derdhën shpërblime në para; e njëjta skemë u ndoq edhe me shtresat në nevojë ku paratë të cilat nuk i kishin marrë prej muajsh qytetarët i përfituan në ditët e fundit para 25 prillit; administrata si asnjëherë më parë ishte në presionin e vendit të punës e ndërsa nuk mungoi përdorimi i burimeve të saj në favor të partisë në pushtet; nuk mungoi as fenomeni i mbledhjes së kartave të identitit apo blerjes së drejtpërdrejtë të votës, sic u fakuan raste me pamje filmike në Berat, Elbasan apo Dibër.
E megjithëse kjo panoramë nuk ka asnjë lidhje me standarded fare minimale të zgjedhjeve demokratike, ky aspekt nuk e lehtëson Bashën nga mos përmbushja e objektivit kryesor të koalicionit opozitar dhe qindra mijërave shqiptarë për NDRYSHIM! Kryedemokrati nuk mundi të krijonte te qytetarët përtej gardhit të militantëve dhe simpatizantëve të opozitës, frymën e ndryshimit.
Dhe më e keqja e gjithë kësaj situate është se PD po vazhdon rrugëtimin e saj drejt opozitarizmit për të tretin mandat radhazi, pa ndryshuar thelbësisht brenda saj. Zgjedhjet e brendshme për kryetarin, analiza e nxituar për 25 prillin dhe Kuvendi i fundit Kombëtar vërtetuan se PD është ende larg asaj që presin shqiptarët prej saj. PD ka nevojë urgjente për ndryshim ose sic e përcaktoi Mark Marku në Kuvend, rithemelim. Vendosini cilin emër të doni, pak rëndësi ka. Parësore për PD dhe opozitarizmin është që Basha më së pari dhe demokratët vendimarrës atje të kuptojnë se vazhdimi me kokëfortësi i së njejtës rrugë të ndjekur në këto 8 vite, nuk mund të sjellë rezultate të ndryshëm nga ai i prodhur në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 2017ës apo edhe ato të 2021-ët. Shumë besuan te rregulli i rrotacionit 8 vjeçar dhe menduan se fitorja do ishte rezultat i konsumimit të PS-së në dy mandate qeverisëse, gjë e cila u vërtetua si një ‘fiasco’.
Ndaj nuk mund të shkohet sërish në zgjedhjet e ardhshme me qëndrimet se “Rama blen votat” apo se “krimi po sundon zgjedhjet’, qëndrime që kanë brenda tyre vërtetësinë por që njëkohësisht janë disfatiste dhe keqndikuese në raportin e besimit me qytetarët.
PD ka nevojë urgjente për ndryshim të organizimit, funksionimit dhe strategjisë së saj. PD dhe kryetari i saj duhet të nisin sa më parë një proces hapjeje të vërtetë, duke i dhënë zë brenda strukturave njerëzve model të shoqërisë civile, akadamikëve të spikatur si edhe përfaqësuesve të grupeve të interesit, kryesisht ish-pronarëve dhe ish-të përndjekurve. Po ashtu kjo hapje duhet të përfshijë brenda saj, pa mëri dhe krejt logjikisht, edhe ata që konsiderohen si kritikë realë të Bashës ( të kuptohemi jo ata që njihen si velga qorre te kryeministrit). Madje përfshirja e tyre në parti do ti japë PD-së vitalitet, frymë debati dhe si pasojë vendime konstruktive e strategji alternative nga ato të ndjekura deri më tani.
Mos harroni, Berisha afroi para zgjedhjeve të 2005-ës emra që askush nuk i mendonte se mund të riktheheshin në PD, njerëz me të cilit ishte konfliktuar e akuzuar politikisht në mjaft raste më shumë se sa përfaqësues të PS-së. Bashkimi i së djathtës krijoi te qytetarët frymën e bashkimit të të gjithë rrymave dhe energjive përtej ndasive momentale, në objektivin kryesor për rrëzimin e kryeministrit të kohës dhe qeverisë së tij që ishte kthyer në simbol të korrupsionit në Evropë.
Një PD ndryshe është ajo që i duhet sot vendit, një PD që do të dijë të fitojë besimin e shqiptarëve për të qenë edhe një herë në krye të qeverisjes. Ndaj Basha i pari dhe të tjerët pas tij duhet të kuptojnë se para se t’u kërkojnë shqiptarëve votën për ndryshim, duhet të kthehen në alternativë të besueshme të ndryshimit që qytetarët ta përqafojnë masivisht.