Është shoqëruar me protestë ndalimi i pronares se një lokali në Vlorë, pasi në shenjë kundërshtie për orën policore, shumë biznese vendosën himnin kombëtar.
Ngjarja në fjalë ndodhi vetëm pak minuta para orës 22:00, orar kur edhe ndalohet muzika në lokale, ndërkohë që në këtë biznes thuhet se muzika qëndroi edhe pak pas këtij orari. Të shumtë ishin qytetarët që u mblodhën para komisariatit të Vlorës, nga ku kërkuan lirimin e zonjës dhe 3 tre personave të tjerë, e cila u shoqërua nga dhjetra efektivë policie.
Gazetari Enrik Mehmeti raporton për ‘BalkanWeb’ se në orën 3:00 u bë e mundur lirimi i 4 të shoqëruarve (mes tyre pronari tjetër dhe dy punonjësit).
Operatorët e Vlorës kanë paralajmëruar protesta për ndryshimin e fashës orare, pasi sipas tyre, kjo po i pengon në biznes përgjatë sezonit veror, kur ka edhe shtim të numrit të turistëve.
Sipas operatorëve, ora policore aktuale, ka bërë që bizneset të përballen me kushte të vështira ekonomike.