Vlora proteston edhe për kullat e Tiranës

0
146

Nga Enton Abilekaj

Ata që thonë se vlonjatët e meritojnë dhunën e Edi Ramës meqë i dhanë 8 mandate, ose dy të tretat e mandateve të qarkut, duhet të ndajnë mendjen, a mendojnë se zgjedhjet ishin të rregullta apo jo.

Edhe sikur të ishte kështu, ajo që e përcakton raportin e qytetarit me qeverinë nuk është preferenca politike, vota, por kontrata detyruese që rregullon marrëdhëniet, taksat. Nëse paguajnë taksat, ose ua marrin me presion, kanë të drejtën të kërkojnë shërbimin, që në këtë rast është qeverisja e përgjegjshme.

Kjo është beteja sot në Vlorë. Nuk ka lidhje nëse ata janë me PD, me PS apo kundër të gjithëve. Ky këndvështrim do ta shkatërronte të vërtetën që u shpalos me Himnin e Flamurit mbrëmë në 21:45 në Lungomare. E vërteta është që kontrata me qytetarët është prishur në favor të një shteti personal të Edi Ramës, që e ka kthyer Shqipërinë në pronë private.

Pronarët e hoteleve, restoranteve dhe bareve në Vlorë, duke u nisur vetëm nga emergjenca e tyre, po shpalosin këtë të vërtetë, po denoncojnë një qeverisje që nuk ka asnjë ide se si funksionon puna e ndershme, sepse punon me dhe për oligarkët dhe organizatat e dyshimta që pastrojnë paratë.

Historia fillon me një masë që në dukje është e drejtë. Qeveria e ka kufizuar orarin e muzikës deri në orën 22:00 dhe orarin e lëvizjes deri në 24.00. Situata pandemike, e ka detyruar ccdo qeveri në të gjithë botën, edhe në Europë, edhe në shtetet me turizëm shumë të zhvilluar, të marrin masa kufizuese.

Ora 24:00 është limit edhe në Greqi. Shtete të tjera si Italia, pothuajse nuk pranojnë fare turistë. Kufizimet, disa më të ashpra, disa më të buta, janë normalitet tashmë gjithandej.

Në këtë kontekst protesta e bizneseve të vogla, të mësme dhe të mëdha të Vlorës, duket e tepruar. Nëse tabloja e shteteve të tjera do të tregohej kaq e paplotë sa dëshiron qeveria. Sepse vërtet bizneset janë të detyruar të zbatojnë masat, por për ccdo kufizim dëmshpërblehen ose kompensohen nga qeveritë për humbjet. Sa më të ashpra kufizimet, aq më të larta kompensimet dhe dëmshpërblimet.

Shtetet e bazuara në iniciativën e lirë dhe të ndershme, i trajtojnë bizneset e të gjitha niveleve si prioritarë, përderisa janë ata që punësojnë shumicën e njerëzve dhe paguajnë shumicën absolute të taksave që mbushin arkën e përbashkët.

Injorimi i këtij fakti, shtrëngimi i masave deri në falimentimin e këtyre bizneseve, tregon që ky biznes nuk është në planet e qeverisë. Ai po zëvendësohet me shpejtësi, jo vetëm në Vlorë, jo vetëm në bregdet, jo vetëm në Turizëm, me një biznes tjetër, që nuk pyet për masa, nuk pyet për kufizime dhe as për fitime të drejtpërdrejta.

Ndërsa bizneset e ndershme vuajnë, falimentojnë, mbyllen, shiten nga pronarët që ikin nga vendi, ose mezi mbijetojnë me shpresën se do të marrë fund kjo politikë, ndërtime madhështore, hotele të shtrenjta, fshatra turistikë mbijnë ccdo muaj në bregdet. Ky zhvillim i pashpjegueshëm, që në pamje të parë duket sikur është shenja e shndërrimit të Shqipërisë në “kampionen e turizmit” në Ballkan, në fakt është i njëjti me atë që shpërfaqet në Tiranë me kullat e pajustifikuara.

Oligarkët që ndryshuan ligjet për të rrëmbyer pronat në bregdet, për të marrë statusin e investitorit strategjik edhe për fshatrat turistikë që nuk kanë lidhje me hotelerinë, janë burimi i parë i këtyre ngrehinave pa bukuri, pa projekt dhe pa plan-biznesi. Paratë e pista të krimit të organizuar janë burimi tjetër, që nuk pyet gjithashtu, as për pronarët, as për lje ndërtimi, as për fitimet e drejtpërdrejta nga investimi.

Kështu po betonizohet edhe në Jug një ekonomi shkatërrimtare, që po rrezikon të ardhmen e turizmit, kështu po betonizohet në gjtihë vendin një ekonomi informale që shkatërron biznesin, barazinë e mundësive, iniciativën e lirë. Ky kapitalizëm kriminal, i orientuar nga Edi Rama, nuk i ndien masat kufizuese, as taksat, as uljen e shpenzimeve të turistëve për shkak të orareve. Ky e shkatërron ccdo koncept të konkurrencës, falimenton ata që bëjnë vërtet biznes në shërbim të një grupi ekonomik, që me mjete të dyshimta po kap vendin. Kjo qeverisje po denoncohet sot në Vlorë./Dosja.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here