Ballkanizmi i ambasadorëve të perëndimit

0
128

Nga Andi Bushati

Ambasadorët kryesorë të perëndimit në Tiranë janë bërë sot protagonistë të një parade turpi që reket tu’a shesë shqiptarëve sapunin për djathë. Ata kanë folur me superlativa për foshnjen e tyre që lindi e vdekur duke përkujtuar përvjetorin e pestë të Reformës në Drejtësi. Kryediplomatja amerikane Kim përmendi edhe njëherë argumentin e lodhur të spastrimit të gjykatësve të korruptuar, ndërsa kolegu i saj Soreca e quajti atë si një nga hapat më të rëndësishëm që janë ndërmarë që pas rënies së diktaturës.

Në fakt, është krejt e kundërta. Po të shikosh të gjithë argumentat propagandistikë që u përdorën në këtë vit jubilar, ato lidheshin me një sukses të vetëm, spastrimin nga vettingu të mbi 200 gjykatësve dhe prokurorëve.

Kjo shifër ka përmbytur prej dy ditësh titujt e servirur të medieve, a thua se qëllimi primar i këtij aksioni të nxitur nga ndërkombëtarët ishte thjeshtë organizmi i një gjuetie shtrigash. Nuk ka dyshim se drejtësia e vjetër shqiptare kishte nevoja për një qilizëm të thellë të një mjedisi ku allishverishi ishte kthyer në normalitet, por objektivi kryesor i 140 deputetëve që votuan unanimisht në korrikun e 2016 duke duartrokitur përqafimin epshor Lu-Vlahutin, nuk ishte ky. Ai qe krejt tjetër: rivendosja e një sistemi ku peshorja e drejtësisë të ishte e ekuilibruar për të gjithë, goditja e atyre qau fiksuan në zhargonin e ndërkombëtarëve si peshq të mëdhenj dhe ringritja e një sistemi koherent dhe funksional për ti përballuar këto sfida.

Cili është bilanci? Pothuajse afër zeros.

A beson dikush sot se një qytetar i thjeshtë, që i bie fati i keq të jetë në konflikt për truall ndërtimi me oligarkun e mbështetur nga pushteti, mund të gjejë të drejtën në gjykatat shqiptare? A ka shpresë familja e një minatori të vdekur në galeri të fitojë atë që i takon? A ka optimistë që imagjinojnë, se për ata që humbën jetën nga neglizhenca ulëritëse në pallatet e shembura nga tërmeti në Thumanë, drejtësia do të thotë ndonjëherë fjalën e saj?

Në këndvështrimin e një drejtësie që funksionon për të gjithë njësoj ne jemi ende po aq larg sa pesë vite më parë. Por edhe në pjesën më të dukshme dhe më të prekshme të medaljes, punët nuk janë më mirë. Kushdo që e dëgjonte ambasadorin Lu që fliste që në 2018, se rënia në rrjetë e peshqve të mëdhenj ishte punë javësh, sot nuk i mbetet ve[se të tallet.

Kjo reformë jo vetëm i ka bërë më të pa cënueshëm njerëzit me pushtet politik dhe ekonomik, por ata po ndihen aq të fortë sa mund të diktojnë edhe vettingun si në këtë rastin e fundit kur shpërtheu një përplasje publike mes lokalëve dhe ndërkombëtarëve.

Pra, ndonëse qëllimi i kësaj reforme ishte ti jepte fund pandëshkueshmërisë, deri më tani ajo vetëm është betonifikuar.
Edhe mënyra se si u konceptua reforma, se si ajo ra pre e kalkulimeve dhe interesave të vogla të njerëzve më pushtet, për të pasur sa më shumë ndikim, prodhoi një katastrofë. Tashmë provohet gjërësisht se fillimi i saj nga lart poshtë ishte një gabim. Kështu përshëmbull shkatërrimi i Gjykatës Kushtetuese, që i kishte zbrapsur mbi 40 ligje pushtetit të Berishës dhe filloi të godiste me një njëjtën vullnet edhe kapërcimin e kufijve nga qeveria Rama, solli pasoja shkatërrimtare. Vendi mbeti për tre vite pa këtë organ që ende nuk është i plotë, duke i i hapur rrugë amuzimeve kolosale nga shumica në pushtet. Vetëm një shembull banal. Po të kishim pasur Gjykatë Kushtetuese sot Teatri Kombëtar do të ishte ende në këmbë.

Gjithëashtu vendi mbeti nga 2017 deri në 2019 pa Gjykatë të lartë, që ende nuk funksionon, duke bërë që drejtësia të mungojë për mbi 30 mijë dosje që presin në radhë.

Po të flasësh pastaj për një SPAK dhe një Gjykatë të Postame që vendimet ua rrëzon gjykata e Strasburgut, që nuk kanë këllqe të marrin në shqyrtim krimet elektorale po iu përcjellin prokurorive e gjykatave lokale, që vazhdojnë ti shikojnë me venerimin e përëndive pushtetarët e lartë, gjendja bëhet krejtësisht e pashpresë.

Janë pikërisht këto elementë që e detyruan Fondacionin Soros dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit të botonin që në 2019 një sondazh ku thuhej se 63% e shqiptarëve nuk besonin më se vettingu ishte i drejtë. Po ashtu edhe në Bruksel u arrit në përfundimin se terapia e rëndë, që u zgjodh të aplikojej në Shqipëri krijon aq shumë probleme, sa nuk rekomandohet të kopjohet edhe në vende të tjera.

Por pavarësisht nga këto, ambasadorët e perëndimit në Tiranë, vazhdojnë të flasin si për një histori suksesi, duke u përpjekur të arsyetojnë mbi 60 milionë eurot tashmë të shpenzuara për këtë fiasko.

Edhe gjatë konferencës së fundit për 5 vjetorin e reformës ata zgjodhën të përdorin sërisht epitete lavdëruese për një gërmadhë që nuk funksionon duke huazuar metodat e politikanëve vendas që përpiqen ti imponojnë publikut një realitet që nuk ekziston. Prandaj në këtë përvjetor mund të thuhet me ironi se reforma që u nis me ambicien për të perendimorizuar Shqipërinë duket sikur po përfundon me ballkanizmin e përfaqësuesve të perëndimit të Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here