Ish-ministri i Drejtësisë në qeverinë “Rama 1”, Ylli Manjani ndërsa komenton qëndrimet e ambasadores së SHBA ndaj ish-kryeministrit Berisha, duket se ka dalë në krah këtij të fundit.
Në një postim në rrjetet sociale, Manjani shkruan se “teoria e xhaketave të vjetra” nuk qëndron, sepse sipas tij pavarësosht moshës biologjike, Berisha, Rama dhe Meta, kanë të njëjtën kohë qëndrimi në politikë.
Po ashtu ai thekson se nga politika të largon vetëm vota e popullit dhe jo mosha, as Zonja Kim.
“Sa për kujtesë, atyre që artikulojnë teorinë e xhaketave të vjetra në politikë.
Përtej diferencave të moshës biologjike Sali Berisha, Edi Rama, Ilir Meta e shumë të tjerë, kanë të njëjtën kohë qendrimi në politikë.
Në 1990 e kanë filluar aktivitetin politik dhe ende vijojnë, pavarësisht roleve që kanë apo intensitetit me të cilin bëjnë politikë. Madje, Edi Rama e Sali Berisha kanë një histori përplasje brenda PD në ditët e para të themelimit të saj… Gjithashtu Ilir Meta, Sali Berisha e Edi Rama kanë 30 vite që përplasen e pajtohen me njëri-tjetrin…
Prandaj ose këto janë gjithë në bllok xhaketa të vjetra dhe duhet të hapin krahun, ose s’ka kuptim që dikush u dashka të largohet e dikush tjetër jo, për shkak të konceptit “xhaketë e vjetër”.
Nga politika të largon vota dhe vullneti personal, jo xhaketa. As mosha dhe as zonja Kim…”-shkruan Ylli Manjani.