Një lajm që nuk dukej askund në median tradicionale, nisi të prodhonte meme të shumta në 24 orët e fundit. “Hajdutët grabisin vilën e kreut të SPAK në Gjirin e Lalëzit”, thuhej në lajmin që shkaktoi ironi në rrjet.
Të martën, policia e përgënjeshtroi lajmin. Kurse vetë Arben Kraja tha për disa media se ky ishte një lajm fals.
“Lajmi është i sajuar për të goditur integritetin e institucionit që unë drejtoj”, tha Kraja, duke theksuar se ky është një sulm i qëllimshëm ndaj SPAK.
Por nga doli lajmi?
Ajo që dihet deri më tani ai është botuar nga një portal pak i njohur, i quajtur Albanian Post, por që është regjistruar me emrin e gazetarit kosovar, Baton Haxhiu. Portali raportoi se janë grabitur shtatë shtëpi në Gjirin e Lalëzit, mes tyre edhe ajo e Krajës.
“Një prej pronarëve të shtëpive, grabitësit i kanë vjedhur kuletën teksa ka qenë në gjumë. Ndërsa kartat e identitetit janë hedhur në oborrin e shtëpisë dhe vetëm paratë janë marrë me vete,” shkruante dje portali.
Pavarësisht përgënjeshtrimit të Krajës, ky portal vazhdon të insistojë edhe sot se grabitja ka ndodhur.
“Banorë të zonës, e konfirmojnë për Albanian Post se shtëpia e Krajës është minimalisht e dëmtuar, por nuk dihet nëse është vjedhur apo jo gjë brenda saj. Disa prej tyre, e kanë banesën e pushimit pranë asaj të kreut të SPAK dhe kanë raportuar pikërisht këto detaje,” shkruan portali.