Melissa DeRosa, sekretarja e Guvernatorit të Nju Jorkut, Andrew Cuomo ka dhënë dorëheqjen nga detyra e saj të dielën, pas publikimit të një raporti nga prokurori i përgjithshëm i shtetit i cili ngre akuza se guvernatori ka ngacmuar seksualisht 11 femra.
Sipas The Guardian, në raportin e prokurorit, emri i Melissa përmendej si personi që ishte përpjekur për të fshehur veprimet e guvernatorit si dhe kishte gisht në ‘hakmarrjen’ kundër njërës prej akuzueseve të Cuomo.
DeRosa, thuhet në dosjen e prokurorisë, ishte një figurë qendrore në hakmarrjen e zyrës së Cuomo kundër njërës prej grave, Lindsey Boylan, pasi ajo u bë personi i parë që foli publikisht mbi ngacmimet seksuale.
Melissa DeRosa, e cila shpesh mbronte Cuomo kur ai përballej me kritika publike, punonte në administratë që nga viti 2013.
Asaj iu dha titulli “sekretare e guvernatorit” në vitin 2017, dhe ndoshta ishte imazhi më i njohur në administratë pas Cuomo-s.
“Personalisht, dy vitet e fundit kanë qenë përpjekje emocionale dhe psikologjike. Unë jam përgjithmonë mirënjohëse për mundësinë që kisha për të punuar me kolegë të tillë të talentuar në emër të shtetit tonë“, shkruante DeRosa në një deklaratë ku njoftonte dorëheqjen.