Policia e Vlorës i ka vënë prangat dy personave që dogjën ullishtat dhe kullotat në fshatin Tragjas të Vlorës dhe në fshatin Shelegar të Sarandës.
Policia e Vlorës tha se në bashkëpunim me stacionin e Policisë në Orikum, bëri arrestimin e Gëzim Meços, 41 vjeç, banues në fshatin Tragjas. Meço dyshohet se ka djegur me zjarr një sipërfaqe 1500 m2 me shkurre dhe rreth 20 rrënjë ullinj, në fshatin Tragjas.
Po ashtu, komisariati i Sarandës bëri arrestimin e Sh. L, 23 vjeç, banor i qytetit, që dyshohet se ka djegur një sipërfaqe kullosore në fshatin Shelegar.
Të dy akuzohen për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.
Policia e Vlorës bëri apel për të gjithë banorët dhe në veçanti për ata që kanë në përdorim sipërfaqe kullosore, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, pasi do përballen me ligjin.
Nga ana tjetër ftoi qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital për çdo rast të zjarrvënies.