Në Kukës, pasi zjarri është shuar në zonën Kalimash–Thirrë mbi tunel nga ana e Kukësit mëngjesin e së martës, sipas Komisionit të Mbrojtjes Civile situata mbetet kritike nga ana e Fanit, në Thirrë, ndërkohë që në majën e Runës krahas forcave tokësore po ndërhyn edhe një helikopter për shuarjen e flakëve.
Tani Operacioni është përqëndruar në dy vatra zjarri, Laku i Thive dhe Qafa e Kumbullës në malin e Runës nga Malzi.
Në këto dy vatra janë forcat e emergjencave civile, shërbimi zjarrfikës Kukës, trupat e ushtrisë së Kosovës dhe zjarrfikësit e Kosovës.
Situata është kritike deri në këto momente dhe në rrezik janë 5 banesa me rreth 30 banorë të lagjes Lepraj në fshatin Shëmri.
Aktualisht nuk ka rrezik për këto banesa por për çdo rast janë marrë të gjitha masat nga ana e bashkisë Kukës për evakuimin dhe akomodimin e tyre në shkollën e fshatit Shëmri.