Talibanët ngritën të premten flamurin në tre prej qyteteve kryesore të Afganistanit, në Lashkar-Gah, në Herat dhe në Kandahar, dhe parashikohet të kapin edhe Kabulin në pak javë.
Kandahari është qyteti i dytë më i madh i vendit dhe i dyzeti në botë për nga shtrirja dhe popullsia, me rreth 38 milionë banorë.
Qendra jugore njihet si djepi i talibanëve, ka aeroportin e vet ndërkombëtar dhe një ekonomi të zhvilluar.
Qyteti u dorëzua nga forcat qeveritare që u tërhoqën në bazat e tyre ushtarake, si në dy qendrat e tjera të Feruz-Kohut dhe Kala-e-Naut.
Ambasada e SHBA-së në Kabul njoftoi shtetasit amerikanë të lënë menjëherë territorin.
Pentagoni njoftoi se do të kthejë në Afganistan 3 mijë trupa për të evakuar stafin e ambasadës dhe 600 trupa britanike do të nisen përkohësisht për të mundësuar kthimin e shtetasve në Angli.
“Në fillim do kemi tre batalione këmbësorie, të cilat do të lëvizin për në Aeroportin Ndërkombëtar Hamid Karzai në Kabul brenda 24-48 orëve të ardhshme. Dy batalione janë të Marinës dhe një i Ushtrisë amerikane” John Kirby, sekretari për Median i Pentagonit.
Pala amerikane shtoi se ka dyshime që talibanët po kryejnë krime lufte teksa po avancojnë, dhe po i ekzekutojnë trupat afgane që u dorëzohen.
Kryeministri pakistanez, Imran Kan, tha të enjten se SHBA-ja ka faj për situatën e përshkallëzuar në Afganistan, në fqinjin lindor të vendit të tij.
“Në momentin që amerikanët nisën të tërheqin trupat e tyre, sidomos kur thanë datën e largimit, leva që ne kishim për ta kontrolluar Talibanin u zvogëlua jashtëzakonisht. Talibanët kuptuan se ata po e fitonin luftën pa luftuar me amerikanët. 3-4 muaj më parë u përpoqa ta bind Talibanin për një zgjidhje politike sepse ajo është e vetmja që nuk do e çojë vendin drejt anarkisë, po ata e refuzojnë dialogun me qeverinë.”
Me qytetet e fundit në dorë, militantët talibanë kanë siguruar kontrollin në gati gjysmën e qyteteve kryesore të Afganistanit, në harkun e tri muajve pas largimit të forcave ndërkombëtare.