Shqipëria duke nisur nga ditët në vijim pritet që të nisë strehimin e një grupi afganësh me destinacion final SHBA-në.
Autoritetet shqiptare kanë nisur përgatitjet për strehimin, ndërsa Kryeministri Edi Rama në një intervistë për “The Guardian” shprehet se pranoi afganët, pasi shqiptarët e dinë se cfarë do të thotë diktaturë.
“Unë jam i shkatërruar kur shoh njerëz të lënë pas dhe dua t’u jap atyre të paktën mundësinë për të marrë frymë përsëri.
Ne e dimë se si është të jetosh nën një diktaturë dhe si është të jesh i huaj që kërkon strehim diku.
Bëhet fjalë për ata që jemi; Është nder dhe detyrë ta bësh këtë” tha ai. Rama tha se nuk mund ta kuptonte “se vende më të pasura mund të kthejnë shpinën” përballë një situate të tillë.
“Kjo përplaset me vlerat që ne të gjithë predikojmë” shtoi ai. “Shqipëria nuk mund ta zgjidhë problemin, por ne gjithashtu nuk duam të jemi pjesë e tij” tha më tej ai.
Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Kosova pranuan kërkesën e SHBA për të pritur përkohësisht refugjatët politikë afganë në vendet e tyre për një periudhë tranzitore deri në momentin që do të zhvendosen përfundimisht në SHBA.