Xhavid Qesja u fut në burg kur ishte 36 vjeç dhe doli prej tij 36 vite më vonë, kur ishte 72 vjeç. Arsyeja që e çoi në armiqësi me sistemin komunist, në të cilin besoi që kur ishte në gjimnaz, ishin mbrojtja që i bëri revolucioneve në Hungari e Poloni.
Pas arrestimit, ai do të kërkonte divorcin nga bashkëshortja që përndjekja të mos kalonte te dy fëmijët, që u ndanë nga babai kur ishin në moshë të mitur dhe e ri takuan kur i kishin kaluar të 40-at.
Ndërsa një studim i Ana Lalajt zbardh të plotë figurën e tij si mendimtar politik dhe disident, përmes dokumenteve të Ish Sigurimit të shtetit, i biri i Xhavid Qesjes, Shpëtimi, rrëfen babanë, në një intervistë për gazetaren e “News24” dhe “BalkanWeb”, Fatmira Nikolli, siç e njohu dhe jetën me mungesën e tij.
“Babai kishte simpati për Fan Nolin dhe donte barazinë. U bë komunist që para lufte, e donte komunizmin si teori e praktikë. Përplasja e babait me Partinë Komuniste nisi pas revolucionit hungarez, ai e quajti revolucion ndërsa Partia Komuniste Shqiptare anti revolucion”, shpjegon Shpëtim Qesja.
I dënuar nga një burg në tjetrin, i biri thotë se “babai kërkoi të respektohej feja dhe liritë në vend. Në letrat e tij për Enverin, i drejtohej se nuk mund të më injorosh mua, ndërsa Gjykatës i shkruante se për çështje politike merrem me partinë dhe jo me drejtësinë.
Pasi lexoi një nga librat e Hoxhës i shkroi nuk të paska mbetur njeri afër të të këshillojë”.
Shpëtim Qesja lexoi në burg veprat e Marksit dhe Leninit për komunizmin me frikën se e kish kuptuar mbrapsht ideologjinë dhe kur pas 36 vitesh burg kish studiuar ideologët ra në paqe sepse komunizmi i vënë në jetë nuk ishte ai i librave për ç’arsye e kish mbështetur. I biri rrëfen në një intervistë të gjatë ndarjen me babanë kur isha vetëm fëmijë dhe ritakimin në moshë të pjekur.
“Nuk mund ta takoja babanë për 36 vite, sepse survejoheshim. Njëherë që i çova një letër me kapi një rrugë një operativ sigurimi e më tha ki kujdes.
Kur babai u burgos, u nda me nënën që të mos vuanim. Kur babai doli nga burgu tha që ishte ndjere vetëm por e kuptonte. Ai e dinte se përndiqej edhe në qeli ndaj nuk fliste me asnjeri”, thotë i biri.
Xhavid Qesja kaloi 36 vite në burg dhe vdiq komunist.