Rei Manaj mund të largohet nga Barcelona përpara fundit të merkatos. Sulmuesi shqiptar për momentin është nën urdhrat e Kumanit dhe ky i fundit është duke e mbajtur në skuadër për shkak të dëmtimeve dhe mungesave që ka në repartin e avancuar.
Vetë Manaj nga ana e tij e sheh pozitiv faktin që mund të qëndrojë në ekipin e parë të Barcelonës pas dy sezonesh në ekipin e moshave. Qëllimi i tij i madh ka qenë të jetë protagonist në elitën e futbollit spanjoll, por pavarësisht kësaj, bomberi kuqezi ka tre ekipe që po e presin dhe janë gati që të paguajnë për të.
Bëhet fjalë për Majorkën, Rajo Vajekanon dhe Frajburgun që kanë bërë ofertë zyrtare për sulmuesin shqiptar. Ai, gjithashtu, ka humbur rrugës shumë opsione të tjera, të cilat nuk ishin të gatshme që të prisnin përgjigjen përfundimtare. Barcelona kërkon të përfitojë 3 milionë euro për shqiptarin. Largimi i tij do të vendoset ditën e sotme dhe fjalën e fundit e ka trajneri Kuman, i cili duhet t’i bëjë mirë llogaritë.
Por, Manaj ka pak shanse që të aktivizohet me Barcelonën dhe largimi i tij është çështje orësh. Ditën e djeshme atij i hoqën edhe numrin 14 për t’ia rikthyer Kutinjos dhe i dhanë numrin 17. Pas ndeshjes, Rei postoi një foto ku dukej i mërzitur dhe në mënyrë kurioze aty komentonte portieri i Real Vajadolidit.
KUMAN
Trajneri Ronald Kuman ka folur pas ndeshjes kundër Getafes duke vlerësuar pjekurinë e skuadrës dhe faktin që diti të vuante për ta marrë rezultatin.
TRI PIKË – “Jam i kënaqur për tri pikët. Ishte një ndeshje e komplikuar, por ne ditëm të vuanim. Loja jonë me top ka qenë shumë e mirë. Psikologjikisht është një fitore me vlera”.
HUMBJE TOPI – “Në fillimin e pjesës së dytë humbëm shumë topa dhe u acarova. Sigurisht që shqetësohem kur skuadra humbet topa. Me Nikon dhe Gavin ishim të pozicionuar më mirë. Jam i lumtur për personalitetin e tyre edhe pse janë 17-18 vjeç”.
GRIZMAN – “Si trajner nuk mund ta kuptoj që publiku të vërshëllejë një lojtar tonin. Nuk është diçka e mirë. Mund të bërtasësh kur nuk është i përfshirë apo nuk punon. Grizman kishte vështirësi dhe nuk pati fat në këtë sfidë”.
KËRKESA – “Nuk kërkoj asgjë nga klubi. Unë kam organikë të mirë, por sigurisht që nëse mund të përmirësohemi do ta bëjmë. Skuadra është duke punuar mirë. Kemi të dëmtuar gjatë kësaj kohe, por do të rikthehen”.
LARGIMET – “Do të flasim për këtë temë nesër (sot). Këtu ka shumë lojtarë që nuk do të luajnë. E di që largimet nuk janë të mira për trajnerin, lojtarët dhe klubin. Por e tillë është situata”.