Ditën e djeshme një bandë grabitësish vodhën 3 banka në qytetin Araçatuba në Brazil.
Por grabitësit nuk u mjaftuan me paratë, ata morën peng klientët dhe punonjësit që ndodheshin në bankë.
BBC raporton se kriminelët i lidhën pengjet sipër makinave, në mënyrë që të arratisen e mos kapen nga policia lokale.
Por nuk ia dolën, pasi pak orë më vonë policia i arrestoi
Megjithatë gjatë operacioneve të policisë për shpëtimin e pengjeve, mbetën të vrarë 3 persona, mes tyre dyshohet se njëri është pjesëtar i bandës, raporton BBC.
Zyrtarët thanë se më shumë se 20 persona morën pjesë në grabitjen, duke bllokuar rrugët me automjete të djegura dhe duke vendosur lëndë shpërthyese në të gjithë qytetin.
Mësohet se në rrugët e qytetit ka të paktën 14 bomba .
Shkollat do të qëndrojnë të mbyllura të hënën dhe banorëve u është kërkuar të qëndrojnë brenda, derisa të gjitha lëndët plasëse të çmontohen. Policia bën me dije se 3 nga të dyshuarit janë arrestuar.
Nuk është hera e parë që Araçatuba është vënë në shënjestër të grabitësve të bankave. Në vitin 2017, kriminelët morën kontrollin e pikave të ndryshme strategjike në të gjithë qytetin, sulmuan stacionet e policisë dhe bllokuan rrugët si pjesë e grabitjes së tyre ndaj një firme sigurie private.