Një ceremoni fetare shkakton trazira në Cetinje të Malit të Zi

0
115

Kreu i Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije dhe Patriarku Porfirije kanë arritur përmes helikopterit në qytetin e Cetinjës, pasi protestuesit që kundërshtojnë shugurimin e Joanikijes kanë bllokuar rrugën në hyrje të qytetit duke vendosur barrikada.

Kundërshtimet për mbajtjen e ceremonisë së shugurimit janë shfaqur disa javë më parë mirëpo më 4 shtator protestuesit filluan të dalin në rrugët e Cetinjës si dhe të vendosin barrikada. Janë raportuar edhe përleshje me policinë malazeze. Forca të shumta të sigurisë janë vendosur në qytet.

Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiq tha se ngjarjet në Cetinje janë një përpjekje për veprime terroriste dhe porositësit dhe organizatorët janë udhëheqja më e lartë e Partisë Demokratike të Socialistëve në bashkëpunim me grupet e organizuara kriminale.

“Sulmi ndaj policisë është një sulm ndaj shtetit”, shkroi Krivokapic në rrjetin social Twitter.

Krivokapic vjen nga Fronti Demokratik pro-serb, parti kjo që udhëheq me qeverinë malazeze, pasi vitin e kaluar rrëzoi Partinë Demokratike të Socialistëve, pas 30 vjetësh në pushtet.

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanovic, nga Partia Demokratike e Socialistëve, arriti në Cetinje më 4 shtator. Ai kishte thënë më herët se do të shkonte në protestë nëse Kisha Ortodokse Serbe nuk heq dorë nga ceremonia. Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kontribuojnë në ruajtjen e paqes, stabilitetit dhe harmonisë shumë-etnike.

Pse po kundërshtohet ceremonia e shugurimit?

Kisha Ortodokse e Malit të Zi është nën Kishën Autoqefale të Serbisë. Ajo synon pavarësimin nga Kisha Ortodokse Serbe.

Qyteti Cetinje, dikur ka qenë kryeqendra e Malit të Zi ndërsa sot konsiderohet si kryeqyteti kulturor dhe historik i këtij vendi.

Vlladimir Veljkovic një historian nga Serbia që merret me studimet e fesë i tha Radios Evropa e Lirë se pretendimet e Kishës Ortodokse Serbe (KOS) dhe Kishës Ortodokse Malazeze kryqëzohen në Cetinje.

“Në radhë të parë Cetinje është kryeqyteti i vjetër i Malit të Zi dhe nga ana tjetër është gjithashtu selia e peshkopëve malazezë, gjegjësisht Mitropolia e Malit të Zi, dhe tani padyshim që kemi dy koncepte të ndryshme lidhur me simbolikën e Cetinjës”, thotë Veljkovic.

Kjo nuk është hera e parë që ka pasur tensione në këtë qytet.

Më 1992, Mitropoliti i atëhershëm Amfilohije dërgoi anëtarë të armatosur të formacioneve paramilitare nga Serbia, të udhëhequra nga Zheljko Raznatoviq (i njohur si Arkan), në ambientet e Manastirit të Cetinjës, me arsyetimin se duhet të mbrohet nga “separatistët malazezë”.

Në 30 vjetët e fundit, festat fetare në atë qytet, shënohen në praninë e forcave të shumta policore, pasi përkrahësit e Kishës Ortodokse Serbe dhe asaj malazeze jo-kanonike festojnë të ndarë.

Në fillim të marsit, një grup qytetarësh qëndruan në rrugë derisa delegacioni i Qeverisë së Malit të Zi, vendosi një kurorë me lule mbi varrin e mbretit Nikolla, sovranit të fundit malazez. Qytetarët thërrisnin “çetnikë!” dhe “Mali i Zi nuk do të jetë kurrë bregdeti i detit serb”.

Sesioni i parë pranveror i Parlamentit të Malit të Zi më 25 mars, i cili zakonisht mbahet në Cetinje, u zhvillua nën masa të rrepta sigurie. Derisa zyrtarët po mbërrinin në qytet, rreth dyqind qytetarë u mblodhën dhe brohoritën “Kjo nuk është qeveria jonë” dhe “Tradhti”.

Cetinja ishte i vetmi qytet në Malin e Zi me shumicë ortodokse, në të cilin nuk u organizuan tubime protestuese të Kishës Ortodokse Serbe kundër Ligjit për Liritë Fetare gjatë vitit 2020.

Miratimi i këtij ligji pati shkaktuar tensione të larta në Mal të Zi. Kisha Ortodokse Serbe ka mbështetjen e një pjese të elitës politike në Mal të Zi dhe pretendon pronësinë e shumë kishave dhe manastireve të cilat i konsideron si të vetat.

Ligji për liritë fetare, ishte miratuar në vitin 2019, në kohën kur në pushtet ishte partia e Gjukanoviqit, dhe kërkonte nga komunitetet fetare të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918. Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit 2020 – e ndryshoi ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në shtetin fqinj, Serbi.

Kush po e kundërshton ceremoninë në Cetinje?

Shoqatat kombëtare malazeze, pothuajse e gjithë opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) e presidentit Millo Gjukanoviq dhe përfaqësuesit e komunës së Cetinjës po e kundërshtojnë ceremoninë e marrjes së detyrës së mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Ata e shohin ceremoninë si një simbol të “pushtimit” të Malit të Zi dhe një përpjekje për ta futur Malin e Zi në të ashtuquajturën “botë serbe”.

Këtë ide e shfaqi për herë të parë ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin.

Vulin tha në një tubim të partisë së tij më 18 korrik, se “detyrë e këtij brezi politikanësh është të krijojë botën serbe” dhe “t’i bashkojë serbët kudo që jetojnë”.

Kundërshtuesit e ceremonisë kanë kërkuar që ajo të mbahet në çdo qytet tjetër malazez, përveç Cetinjës. Ky qytet nga malazezët konsiderohet si qendër kulturore dhe historike. Mitropoliti Joanikije i tha Radios Svetigora se “Mali i Zi nuk është vetëm Cetinje”.

“Ata ende nuk kanë krijuar shtetin e tyre të quajtur Cetinje”, tha Joanikije.

Më 3 shtator, Këshilli i Sigurisë Kombëtare i Malit të Zi ka shprehur shqetësim për situatën e sigurisë para ceremonisë së planifikuar më 5 shtator.

Pas një takimi pesë orësh, Këshilli, i kryesuar nga kryeministri Zdravko Krivokapiq, përgatiti udhëzime për organet e sektorit të inteligjencës dhe sigurisë të Malit të Zi për t’u ballafaquar me tubime të qytetarëve të planifikuara në Podgoricë dhe Cetinje.

Krivokapiq iu drejtua qytetarëve duke u thënë “të mos bien pre e provokimeve” sepse shteti “do të garantojë sigurinë personale të secilit”.

Siç tha ai, struktura të caktuara politiko-kriminale, të cilat kanë frikë nga reformat në gjyqësor, nuk zgjedhin mjetet për të nxitur tensione, vetëm sa për të ruajtur pozitat dhe përfitimet materiale.

Paraardhësi i tij deputeti i DPS-së, Dushko Markoviq, vlerësoi se Këshilli “nuk mori parasysh vlerësimet për rrezikun nga ngjarjet në Cetinje”.

Ai kërkoi që ceremonia të mos mbahet në këtë qytet.

“Mali i Zi u krijua në Cetinje, ne nuk duhet të lejojmë që ky Mal i Zi aktual të vdesë në Cetinje,”, ka thënë ministri i Punëve të Brendshme të Malit të Zi, Sergej Sekuloviq.

Komuniteti Ndërkombëtar kërkon uljen e tensioneve

Shtetet e Bashkuara u kanë bërë thirrje të gjithë aktorëve, veçanërisht udhëheqësve politikë në Malin e Zi, që të ndihmojnë në uljen e tensioneve.

Kështu është thënë në një përgjigje të Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.

“Të gjithë, veçanërisht udhëheqësit politikë, duhet të bëjnë pjesën e tyre për të ulur dhe jo për të tensionet pasi siguria publike është thelbësore”, ka thënë një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Më parë, Zyra e Kombeve të Bashkuara në Malin e Zi dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësim sa i takon tensioneve në rritje, retorikës përçarëse dhe mungesës së tolerancës.

“Ne i bëjmë thirrje të gjithëve, veçanërisht atyre që mbajnë pozita me autoritet dhe ndikim, të ofrojnë kontribut të drejtpërdrejtë në qetësimin e tensioneve dhe ndërtimin e besimit”, ka thënë koordinatori i Përhershëm i OKB-së, Peter Lundberg, në emër të ekipit të OKB -së në Mal të Zi.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian (KE) Ana Pisonero tha se nxitja e ndarjeve etnike dhe fetare dhe mungesa e tolerancës janë “të rrezikshme për sigurinë dhe mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.

Çfarë thonë ekspertët?

Paul McCarthy, nga Instituti Republikan Ndërkombëtar, fajëson të gjitha palët për përshkallëzimin e tensioneve në prag të ceremonisë së organizuar nga Kisha Ortodokse Serbe, e cila, siç thotë ai, duhet të zbusë retorikën, shkruan Zëri i Amerikës.

Ndërsa Edward Joseph, nga Universiteti Johns Hopkins, e sheh situatën aktuale si vazhdim të përpjekjeve për të ndryshuar orientimin pro-perëndimor të qeverisë malazeze, me mbështetjen e Beogradit dhe Moskës.

Serbia dhe Mali i Zi kanë qenë pjesë e një federate deri më 2006, kur Mali i Zi shpalli pavarësinë. Mali i Zi është pjesë e NATO-s dhe aspiron që të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian. /REL/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here