17 vite nga krijimi, LSI nuk stepet pas ‘thikës’ së 25 prillit: Misioni vazhdon!

0
152

EDITORIAL/ STANDARD.AL

Lëvizje Socialiste për Integrim shënon sot 17-vjetorin e krijimit të saj si parti në Shqipëri. Më 6 shtator 2004 një grup politikanësh të majtë, të shkëputur nga PS si pasojë e politikave krejt iracionale të kryetarit të kohës Fatos Nano, vendosën krijimin e një partie të re të kampit të majtë. Grupi themelues përbëhej nga Ilir Meta zv.kryeministër i kohës, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Limos Dizdari, Qamil Buxheli, Petrit Vasili, Mustafa Muci, Sokol Nako, Spartak Braho, Sokol Axhemi, Artan Kuxhuku, Sokol Dervishaj, Edmond Haxhinasto, Etleva Bisha, Edmond Panariti, Aferdita Tutulani, Pëllumb Xhufi, Monika Kryemadhi e shumë emra të tjerë të spikatur të jetës intelektuale të vendit, gjithesej 795 firmëtarë.

Me lindjen e saj, LSI hapi një faqe të re në politikën dhe demokracinë e Shqipërisë. LSI theu binomin tradicional të krijuar nga PD e PS deri në atë kohë, duke i dhënë një shuplakë të fortë sistemit politik tradicional.  Në Konventën Themeluese të LSI në shtator 2004 kryetar u zgjodh Ilir Meta, nënkryetarë u bënë Sabit Brokaj, Pëllumb Xhufi, Filloreta Kodra dhe Sokol Axhemi, sekretar i përgjithshëm Petrit Vasili, si dhe kryetar i Komitetit Drejtues Kombëtar Limoz Dizdari.

Që nga ajo kohë e deri më sot LSI ka kaluar në shumë sfida e peripeci që hasen natyrshëm në jetën politike shqiptare, e cila ende rreket nga liderët respektivë të çdo kohe të PD e PS ,të jetë nën kontrollin e vetëm dy partive. LSI padyshim ka arritur kulme siç ishin zgjedhjet e 2017-ës nga ku doli me gjithsej 18 deputetë por nuk kanë munguar edhe situatat e vështira, sic ishin edhe rezultatet në zgjedhjet e fundit parlamentare të 25 prillit.

Në fjalën e tij në Konventën Kombëtare të LSI-së në vitin 2017, pasi ishte zgjedhur si President nga parlamenti por nuk ishte formalizuar me betimin që u zhvillua tre muaj më vonë në korrik 2017, Meta e komentonte në këtë formë krijimin e LSI. “LSI lindi si një forcë për demokraci, si një forcë për stabiliteti, si një forcë për integrimin më të shpejtë evropian të Shqipërisë. LSI lindi si një sfidë ndaj arrogancës qeverisëse të kohës. LSI lindi edhe si një sfidë, jo thjeshtë e Ilir Metës dhe e nismëtarëve të saj, të gjithë shqiptarëve ndaj një regjimi dypartiak për 15 vite në Shqipëri. LSI, pavarësisht nga përpjekjet konsensuale për ta demonizuar atë, ka qenë forca më e madhe e vlerave morale për demokracinë dhe për zgjedhjet e lira në Shqipëri. Në pak muaj, duke pasur të gjithë makinerinë e pushtetit kundër saj, Lëvizja Socialiste për Integrim ishte vetmja që nuk e shkeli Kodin Zgjedhor, që nuk u bë pjesë e “super-Dushkut” dhe mori të paktën 120 mijë vota, të ndershme dhe me sakrifica të qytetarëve shqiptar që kërkonin ndryshim. LSI duhet të jetë forca që mban fjalën edhe në të ardhmen.”, pohonte ish-kryetari Meta.

Sot LSI gjendet në një situatë padyshim të vështirë sa i përket përfaqësimit politik në Parlament,  fakt i cili tregon edhe fuqinë politike të një partie. Kryetarja Monika Kryemadhi  pak ditë pas zgjedhjeve të 25 prillit foli për një fitore të makinerisë kriminale, e mbështetur financiarisht nga oligarkët pranë qeverisë. Por gjithashtu ajo diti të njohë edhe gabimet personale duke kërkuar ndjesë për djegien e mandateve në 2019-ën si edhe mos pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 30 Qershorit.

Ndërkaq ende asnjë lajm nga aleati në zgjedhje PD, parti e cila u tregua tejet e rezervuar për daljet e përbashkëta me LSI-në në fushatë e ndërsa palët nuk mundët të sheshonin mos dakordësitë mes tyre për të dalë me një listë të përbashkët në 25 prill. Ndoshta për LSI-në ky do jetë një fillim i ri, pikërisht si atëherë kur u krijua, e vetme përballë dy forcave kryesore, me pak përfaqësues në Parlament, por përcaktuese më pas për krijimin e qeverive.

Me vetëm 4 deputetë  në Parlament, LSI sot gjendet në kushtet më të vështira për të bërë opozitë. Megjithëse siguroi mbi 100 mijë vota në zgjedhje, kodi elektoral vrastar për partitë e tjera krahas PD e PS ‘siguroi’ që kjo forcë të përfaqësohej në institucionin ligjvënës me një numër tejet të ulët në raport me votat e marra. Por ky rezultat duket se nuk e ka ulur plotësisht moralin në kampin e LSI-së, ndërsa përfaqësuesit e saj shprehen të sigurt se mjaft shpejt kjo forcë do të kthehet edhe më e fortë se më parë, duke mësuar nga gabimet e bëra dhe hedhur hapa të sigurt për një parti që sic theksojnë ata, vë në vend të parë interesat e vendit.

Në urimin e saj të shkurtër, fjala kyç e Monika Kryemadhit ishte: “Misioni vazhdon”.

Nga ana e tij nënkryetari Vasili tha se çdo sfidë e forcon edhe më shumë LSI-në, duke vënë në dukje mbështetjen e madhe që kjo parti ka në rininë e vendit.

Për Erisa Xhixhon, që si Vasili dhe Kryemadhi ka qenë një ndër themelueset e LSI-së, kjo forcë sot është ajo e ëndërrës tonë të 17 viteve më parë.  “Është ajo e zemrave që e duan edhe më shumë kur është në opozitë. Ndaj një forcë që bashkon ëndërrat me zemrat e të rinjve ka vetëm një rrugë nëpër të cilën mund dhe duhet të ecë, rrugën që e çon atë tek njerëzit. Kjo është rruga e LSI-së, kjo është forca dhe e ardhmja e LSI-së.”

Në të njetën linjë Floida Kërpaçi theksoi se: “LSI ka qenë përcaktuese në krijimin e një mentaliteti të ri, duke i shërbyer të gjithë spektrit politik shqiptar, ku, pavarësisht kokfortësisë së të vjetrës, brezi i ri sot gjen më tepër hapësira për të treguar veten, me më tepër vetëdije për fuqinë që të rinjtë kanë në duar.”.

Ndërsa sekretari i përgjithshëm Endrit Braimllari tha se “Lëvizja Socialiste për Integrim ka qenë, është dhe do të mbetet forca politike e gjithëpërfshirjes, e progresit dhe e dashurisë për vendin. Në këto 17 vite, LSI ka qenë është dhe do të mbetet një faktor i rëndësishëm i proceseve integruese, stabilitetit dhe promovimit të rinisë. LSI është forca politike e guximit, shpresës, sakrificës, qëndresës ku gjithsecili nga ne, në 17 vite ka gjetur dhe ka promovuar idetë e tij politike”.

Marrë shkas nga qëndrimet e mësipërme, në parlament e në jetën politike pritet një LSI e zjarrtë dhe aspak konformiste, ndërsa të gjithë mbeten me një sy nga Presidenca ku një ‘peshë e rëndë’ e politikës si Ilir Meta, korrikun e ardhshëm rimerr teserën e partisë që krijoi!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here