Ditën e sotme kanë dalë me probleme besueshmërie 75 policë të cilëve u është refuzuar pajisja me certifikate sigurie.
Kontrolli i brendshëm ka skeduar edhe më shumë efektivë që mund të nxjerrin “sekretin shtetëror” e që nuk duhet të njihen me informacion të klasifikuar.
Zyrtarë të ndryshëm të policisë së shtetit nuk kanë kaluar “klasën” sa i takon sigurisë për të njohur, ruajtur, administruar apo transferuar një informacion të klasifikuar si sekret shtetëror.
Raporti i fundit për vitin 2020 i shërbimit për çështjet e brendshme dhe ankesave ka evidentuar 115 policë që përbëjnë rrezik për “sekretin shtetëror”, ndërsa drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, ka refuzuar pajisjen me certifikate sigurie për 75 prej tyre.
Në bazë të ligjit ata duhet të transferohen në detyra ku nuk njihen me informacione konfidenciale, ndërsa ish-ministri i brendshëm Sandër Lleshaj propozoi që në këto rrethana ato të përjashtohen nga radhët e policisë, propozim që u rrëzua në atë kohë nga deputetët e mazhorancës.
Nivelet e certifikatës së sigurisë në Shqipëri janë 3, “Konfidencial”, “Sekret” dhe “Tepër sekret”.
Refuzimi i certifikatave të sigurisë për punonjësit e policisë vjen në një kohë kur dhjetëra efektivë kanë rezultuar të përfshirë në trafiqe, korrupsion apo vepra të tjera penale.