Policia Kufitare godet një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi. Procedohet penalisht një shtetas. Sekuestrohen 17.380 euro të padeklaruara. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si rezultat i kontrolleve të shtuara bazuar edhe në analizën e riskut, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë kaluar në vijën e dytë për kontroll shtetasin O. M., në çantën personale së të cilit, iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 17.380 euro, sasi të cilën nuk e kishte deklaruar.
Veprimet e mëtejshme u kryen nga specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik-Financiar, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, të cilët filluan procedimin penal ndaj shtetasit O. M., 57 vjeç, banues në Bishqem, Peqin. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.