Pastori Akil Pano, vijon polemikat me komunitetin LGBT+, pas referimit të tij tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
“Aleanca LGBT”, organizatë që lufton për të drejtat e personave LGBT+, e akuzon këtë Pastor, se ka nxitur urrejtjen dhe ka diskriminuar komunitetin, duke “ i asociuar personat LGBTI+ me zoofilinë, duke i stigmatizuar ata si pjesë e një komuniteti të sëmurë, egoist dhe agresiv, duke i akuzuar që duan të shkojnë në shkolla dhe të shndërrojnë fëmijët në homoseksualë dhe duke keqinformuar publikun, se komuniteti LGBTI+ kërkon heqjen e termit nënë dhe baba nga fjalori”.
Pastori është paraqitur në zyrën e Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi, por ka pretenduar se procesi ndaj tij është “i inskenuar” dhe fjalët janë nxjerrë nga konteksti. Pastori ka pretenduar gjithashtu se ka parregullësi në procedurën e ndjekur nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Së fundmi, Akil Pano pretendon se është kërcënuar në rrjetet sociale, por nuk i ka publikuar këto kërcënime edhe pse i lidh ato me debatin e zhvilluar. Me sa duket Pastori ka vendosur t’i mbajë sekretë mesazhet kërcënuese dhe emrat e personave që pretendon se e kanë kërcënuar.
Kërcënimi është vepër penale në Republikën e Shqipërisë, ndaj Pastori duhet t’ju drejtohet organeve ligjzbatuese nëse ka marrë mesazhe të kësaj natyre.
“Gjatë kësaj kohe, kam marrë mesazhe kërcënuese me vdekje, jo pak. Është e turpshme, është shumë e rëndë, kam marrë mesazhe në Instagram, në postën time elektronike… që hapin llogari fallco të rreme, që dëshirojnë vdekjen time dhe të familjes time. Nuk i kam bërë publike dhe nuk do të bëj publike, emrat e këtyre personave që shkruajnë këto lloj mesazhesh, por kini parasysh që kur drita shkëlqen errësira çfarë bën? Errësira nis dhe manifeston dhe ekspozon veten“, tha ndër të tjera Akil Pano, gjatë një ligjërate për ndjekësit e tij.
Më poshtë reagimi i plotë i “Aleanca LGBT”, lidhur me çështjen e referuar tek Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi:
“Zoti Akil Pano, pastor i Kishës “Ungjilli i Krishtit” ka nisur një fushatë keqinformimi të mbushur me gjuhë urrejtjeje ndaj komunitetit LGBTI+, duke përdorur median, rrjetet sociale dhe mbështetjen e ndjekësve të tij.
Në daljen publike të datës 02.09.2021, Z. Akil Pano na akuzoi se kishim ndërtuar një ankesë për diskriminim dhe gjuhë urrejtjeje ndaj tij mbi deklarata të nxjerra nga konteksti. Në fakt, ankesa jonë bazohet vetëm në fakte të njohura publikisht, lehtësisht të verifikueshme dhe në argumente të mbështetura në ligj.
Në deklaratën e djeshme për mediat, pastori Akil Pano flet edhe për kufizimin e lirisë së tij të shprehjes si qytetar i një shoqërie demokratike. Dëshirojmë t`i rikujtojmë pastorit dhe publikut të gjerë një parim të thjeshtë juridik: “Liria e shprehjes nuk gëzon asnjë mbrojtje ligjore nëse cënon, fyen, denigron dhe nxit moskuptim e urrejtje ndaj një apo disa individëve të tjerë”. Ky qëndrim reflektohet në ligjin shqiptar e ndërkombëtar, në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut (instrument i ratifikuar nga shteti Shqiptar, me fuqi kushtetuese sa i përket nivelit të kufizimeve që vendos) dhe në jurisprudencën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila është shprehur, se përdorimi i gjuhës diskriminuese, më pak favorizuese dhe gjuhës së urrejtjes nga persona që janë pjesë e jetës publike nuk mund të konsiderohet si liri shprehjeje.
Të qenurit personazh publik, me apo pa dëshirë e vendos pastorin Akil Pano në një pozicion të ndryshëm nga ai i një individi të panjohur për publikun, për faktin e thjeshtë se ka të gjitha mundësitë të ndikojë opinionin dhe kuptimin e masës, duke e nxitur atë drejt mendimeve e sjelljeve paragjykuese, diskriminuese dhe të dhunshme ndaj komunitetit LGBTI+. Në faqen e vet në facebook, idhtarët e kishës së pastorit që duhet të ishte një institucion fetar ku promovohet dashuria për njeriun, në mënyrë të përsëritur fyejnë dhe bëjnë thirrje për urrejtje ndaj komunitetit LGBTI+, duke u larguar kështu nga fryma disa shekullore e feve në Shqipëri që nuk i fryjnë asnjë zjarri përjashtues. Komentet janë mes të tjerave edhe si komenti i Esmeres, një ndjekëse e pastorit, e cila në komentin e saj i quan pjesëtarët e komunitetit LGBTI+, djem e vajza shqiptarësh, ‘’kopila’’ që i kanë lënë nënat nëpër spitale. Ky dhe qindra komente të tjera në postimet individuale të Akilit janë pasojë direkte e gjuhës diskriminuese dhe frymëzimit që ngjall pastori i urrejtjes në publikun që e ndjek.
Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi e përkufizon si diskriminim të hapur daljen publike të një personi, që me prononcimet dhe artikulimin e mbajtur ka të gjitha mundësitë të krijojë baza për mohimin e barazisë dhe krijimin e paragjykimeve të padrejta e të pabazuara të publikut të gjerë, ndaj një personi apo grupi personash.
Në dalje të ndryshme televizive si dhe në mediat sociale, Z. Akil Pano shpreh vazhdimisht jo vetëm paragjykime të padrejta e të pabazuara ndaj komunitetit LGBTI+, por nxit hapur diskriminimin dhe urrejtjen e publikut ndaj këtij komuniteti, duke i asociuar personat LGBTI+ me zoofilinë, duke i stigmatizuar ata si pjesë e një komuniteti të sëmurë, egoist dhe agresiv, duke i akuzuar që duan të shkojnë në shkolla dhe të shndërrojnë fëmijët në homoseksualë dhe duke keqinformuar publikun, se komuniteti LGBTI+ kërkon heqjen e termit nënë dhe baba nga fjalori, ndërkohë që ne e kemi sqaruar vazhdimisht që nuk e kemi kërkuar kurrë diçka të tillë.
Gjatë muajit korrik, një vajzë e komunitetit trasngjinor u dhunua fizikisht si pasojë e retorikës së urrejtjes ndaj komunitetit LGBTI+ të ngritur në media dhe rrjete sociale, në sajë të keqinformimit mediatik nga gazetarë, personazhe publike dhe nga vetë pastori Akil Pano. Debati ndalon së qenuri konstruktiv dhe edukues në momentin kur vihet në lojë mirëqënia, siguria dhe jeta e njerëzve.
Këto janë vetëm disa nga shprehjet e Z. Akil Pano në emisionin Shqipëria Live të datës 09.06.2021, i aksesueshëm dhe i verifikueshëm nga kushdo me një klikim të thjeshtë në Youtube:
“LGBTIQ+ ka axhendë agresive; synohet dekonstruksioni i qelizës bazë-familjes; deri më tani unë kurrë nuk i kam parë homoseksualin ose lesbiken si njerëz të sëmurë, madje kam luftuar me konceptin që të qenurit gej është sëmundje, por ndërsa shikoj një avancim të gjendjes së komunitetit LGBT në botë, përmes një propozimi për një eskperiment social për të gjithë shoqërinë, unë sot po deklaroj se këta individë dhe ky komunitet, këto nisma janë nisma që vijnë nga një komunitet i sëmurë; këta njerëz janë kaq agresivë sa t`u heqin fëmijëve të drejtën që ata vetë kanë patur; si do ishte ishulli i gejve dhe lesbikeve pas 50 viteve?; këto teza dekonstruktojnë familjen, martesën, prokrijimin, jetën dhe shoqërinë; kush janë këta njerëz që kërkojnë të heqin fjalën nënë nga fjalori?; egoizmi i tyre është i sëmurë; ç`është ky univers pa rregulla, ligje dhe konvencione; familja krijohet me një nënë dhe një baba dhe jo me dy gra që nuk dinë se kush janë apo me dy burra që nuk dinë se kush janë; mëkati dhe korrupsioni moral lidhet me të qenin gej dhe lesbike sepse është shtrembërim i imazhit të qenies njerëzore; këto ide të çuditshme shkojnë deri në çmenduri…”
Është teknikisht e pamundur të flasësh për nxjerrje nga konteksti të këtyre deklaratave, në momentin që ato nuk mund të kenë asnjë konotacion tjetër përveçse negativ, diskriminues, denigrues dhe fyes ndaj anëtarëve të komunitetit LGBTI+ në Shqipëri, çka në kuptim të nenit 3 të ligjit shqiptar për mbrojtjen nga diskriminimi përbën diskriminim me qëllim pengesën apo bërjen të pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, aktet ndërkombëtare të ratifikuara dhe ligjet në fuqi. Neni 265 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë sanksionon veprën penale të nxitjes së urrejtjes, ku një ndër shkaqet e përligjura është orientimi seksual; neni 266 i të njëjtit ligj sanksionon se fyerja apo shpifja për një pjesë të popullsisë me qëllim përhapjen e urrejtjes te publiku i gjerë përbën vepër penale.
Të gjitha parashikimet ligjore të cituara në deklaratën tonë përfaqësojnë plotësisht rastin e pastorit, i cili sistematikisht vijon të fyejë, denigrojë, diskriminojë dhe ofendojë përmes deklaratave të tij një komunitet të tërë.
Sa më sipër, baza ligjore e Republikës së Shqipërisë (shtet laik) dhe besimi në institucionet e pavarura shqiptare janë themeli i ankesës sonë të legjitimuar”.