U tallën me emigrantët në Pogradec/ Revoltohet Fevziu: Prindi ose vëllai juaj mund të ketë vrapuar rrugëve të Italisë apo maleve të Greqisë

0
97

Ditën e sotme në rrjetet sociale u bë virale një video ku 21 emigrantë të paligjshëm shpërthyen derën e një furgoni dhe u larguan me vrap nëpër rrugët e Pogradecit, pasi në furgonin me të cilin ata po udhëtonin e kishte ndaluar policia.

Ata u kapën pas disa orësh nga efektivët e policisë, por reagimet për videon ishin të shumta, madje kishte shumë komente tallëse dhe fyese për emigrantët e paligjshëm, që dyshohet të ishin sirianë.

Por moderatori Blendi Fevziu në hapjen e emisionit “Opinion” është revoltuar ndaj qytetarëve që ofendonin dhe tallnin emigrantët,duke u shprehur se shqiptarët janë një nga popujt që kanë vuajtur më shumë racizmin. Ai tha ashtu si ata emigrant të paligjshëm, në vitet ’90 mund të ketë qenë babai apo vëllai i ndonjërit që tallet që mund të ketë vrapuar rrugëve të Italisë apo maleve të Greqisë, apo edhe në ditët e sotme mund të ketë ndonjë kushëri që fshihet poshtë kamionit për të shkuar në Britaninë e Madhe.

“Pashë një reagim në rrjetet sociale sot, shumë neveritës, duke i paragjykuar këta njerëz apo duke u tallur me mënyrën se si ata vrapojnë në rrugë. Unë e di që shumë veta kanë lindur pas viteve ’90, unë e di që shumë veta mund t’ju duket qesharake kjo skenë. Kjo është një skenë që për shqiptarët shumë shpesh. Të gjithë ata njerëz që qeshin sot, mund të dinë që një i afërm i tyre, ndoshta prindi i tyre, ndoshta vëllai i tyre mund të ketë vrapuar kështu në rrugët e Italisë apo në mallet e Greqisë.

Duhet ta dinë që sot ndonjë kushëri i tyre mund të jetë poshtë ndonjë kamioni për të shkuar në Britaninë e Madhe si emigrant dhe i ruhet policisë britanike apo franceze si këta emigrant. Të fyesh një emigrant edhe pse është në shkelje të ligjit, edhe pse ka vrapuar nga fatkeqësia ai mund të jetë një njeri i shkolluar, mund të jetë një njeri i cili kërkon vetëm të jetojë, jo një jetë më të mirë. Thjesht të jetojë, sepse në Siri nuk jeton dot ose s’ka rëndësi në vendin ku është… T’i përçmosh, t’i tallësh, t’i bësh qesharak në rrjete sociale kjo nuk është as dinjitoze, as normale, as njerëzore e mbi të gjitha është racizëm i pastër dhe racizëm nga ata njerëz që e kanë vuajtur më shumë se çdo pjesë tjetër e Ballkanit racizmin”, tha Fevziu.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here