Që në seancën e parë zyrtare në Parlament, PD pas urdhrit të kryedemokratit Basha ka braktisur sallën. Kjo ndodhi pas një debati që nisi pas kërkesës së deputetit të LSI-së Petirti Vasili i cili kërkoi nga kryetarja e kuvendit arsyen pse kjo forcë nuk kishte asnjë anëtar në komisionet parlamentare.
Në këtë debat, padyshim me tendenca për të futur spicat mes PD e LSI, u përfshi kreu i grupit parlamentar Balla, i cili më shumë se sa foli me argumenta, artikuloi zhurmshëm për të krijuar ndoshta një situatë tensioni mes përfaqësuesve të opozitës.
Kërkesa e Ballës ka sjellë reagimin e kryetrares së Kuvendit e cila menjëherë u vu në dispozicion, gjë që ka irrituar Bashën. “E ke nisur seancën plenare duke shkelur rregulloren. Ke miratuar rendin e ditës dhe merr urdhra si ushtare nga dikush që s’duhet të ishte në këtë sallë. Je një manikinë që merr urdhra nga dikush që nuk duhet të ishte këtu. Me çfarë pushteti e miraton rendin e ditës. Kështu është kur vendos drejtuese një si ty. Turp të vijë”!
Përtej qëndrimit të drejtë të Bashës i cili nuk ra dakord me ndryshimin e rendit të ditës, sjellja e opozitës në Parlament nuk mund të jetë ajo e largimit nga salla sapo nuk u plotësohen kërkesat. Opozita qëndroi dy vite pa atë sallë, me një vendim për të djegur mandatet, që rezultoi një dështim i vërtetë.
Me rikthimin e saj në sallë, presupozohej se beteja e opozitës do të ishte ballore dhe e fortë dhe jo një pakicë parlamentare qaramane. Largimi nga salla nuk është zgjidhja e çdo diskutimi.
PD duhet të heqë dorë njëherë e mira nga kjo kulturë e krijuar të bojkotit të çdo debati parlamentar pasi nuk u përfillen kërkesat. Në atë sallë populli e ka votuar për të mbrojtur interesat e tyre dhe çdo largim nga aty është një braktisje e votuesit. Kjo vlen edhe per betejat politike, te cilat sic nisen duhet te permbyllen e mos lihen sic ka ndodhur keto vite, përgjysmë. Ndryshe Basha dhe ekipi i tij do shkojnë nga humbja në humbje!