Hapa galopantë drejt shtetit ku gjithçka e vulos lideri dhe jo ligji! ( ose ndryshe Rama-Shteti)

0
202

Nga Gëzim Saliu

Marrja e mandatit të tretë qeverisës i ka dhënë Edi Ramës atë që të gjithë i druheshin para zgjedhjeve; besimin e palëkundur se tashmë ai është ZOTI në Shqipëri. Fill pas dekretimit të qeverisë së re, kryeministri ka dhënë shembujt konkretë se si ai e ka menduar përvijimin e këtij mandati qeverisës; më shumë kontroll e më pak liri!

Nën hapat e Erdoganit, Rama tanimë ka synime të qarta se si mund të mbajë pa fund pushtetin, falë kjo edhe një opozite të dobët e cila edhe në zgjedhjet e fundit, pavarësisht përbetimeve publike, nuk mundi të ndalë tjetërsimin e dukshëm të votës së shqiptarëve.

Me një opozitë të pafuqishme dhe shoqëri civile të blerë, dy janë piketat kryesore të kryeministrit në këtë mandat; kontroll mbi çdo institucion dhe informim mbi çdo lëvizje! Dhe për ta vulosur këtë synim, Rama ka nxituar që në nisje të mandatit.

Ndër vendimet e para që ndërmori “Rama3” ishte krijimi i Agjencisë së Medias dhe Informimit, e cila në thelb synon që të përçojë të gjitha informacionet dhe lajmet tek kryeministri. Më saktësisht kjo strukturë e re mund të cilësohet si agjenci propagande, ndërsa reminishencat nga e shkuara komuniste janë ende të pashlyera në memorien e pjesës dërrmuese të shqiptarëve.

Kjo agjenci do të jetë nën kontrollin e zëdhënësit të tij të përhershëm Endri Fuga, i cili deri më tani ishte ‘de facto’ ‘kryeredaktori’ i pjesës më të madhe të mediave vizive dhe portaleve në vend. Tanimë ai  ka marrë edhe ‘de jure’ kontrollin e plotë të marrëdhënieve publike të të gjitha institucioneve të qeverisë qendrore, përfshirë këtu edhe ministrat.

Agjencia do të kontrollojë emërimin dhe shkarkimin nga puna të zëdhënësve të institucioneve qendrore, të cilët deri më sot emëroheshin dhe shkarkoheshin nga ministrat përkatës. Kjo agjenci do të kontrollojë gjithashtu aktivitetin publik të ministrave, përfshirë konferencat e tyre për shtyp.

Në vendimin e qeverisë thuhej se agjencia do të ketë për detyrë jo vetëm që të përcjellë në publik propagandën e qeverisë, por duhet edhe të “monitorojë median” për të parë reagimin e publikut ndaj qeverisë. “Agjencia vëzhgon publikimet e mediave dhe mjetet e komunikimit masiv, për të evidentuar perceptimin dhe qëndrimin e publikut ndaj veprimtarisë së institucioneve të administratës shtetërore,” thuhej në vendim.

E megjithatë, kryeministri Rama duket se nuk është kënaqur vetëm me kaq! I duket ende pak, kërkon ende më shumë, ngjashëm me atë agjentin e bursës  që punon në Wall Street, i cili nën adrenalinën e fitimeve në rritje, nuk ngopet duke shituar aksione. E njëjta adrenalinë e ka pushtuar edhe kryeministrin prej vitesh, vetëm se në rastin e tij përfitimet financiare nuk janë më ‘dëshirë imediate’. Rama kërkon të ‘ushqehet’ vetëm me pushtet.

Dhe fill pas agjencisë së medias dhe informimit, sot u mësua se Rama ka kërkuar ngritjen e një drejtorie të posaçme brenda kryeministrisë për kontrollin e administratës dhe ndërveprimit me qytetarët. Kreu i qeverisë parashikon që të krijojë “Agjencinë për Dialog dhe Bashkëqeverisje”, e cila do të kontrollojë të gjithë administratën. Dhe pas saj, nuk dihet se cila mund të jetë lëvizja e radhës e kryeministrit në favor të fuqizimit të pushtetit personal.

Padyshim Rama është këshilluar nga profesonisti  më cilësor i fushës së ‘pushtetit autoritar’, sic është presidenti i Turqisë Erdogan. Kontrolli mbi gjithçka dhe shtypja e lirisë, janë baza e këtij pushteti, i cili për pasojë sjell në jetë një shtet oligarkik, ku sundojnë një numër i vogël personash të lidhur ngushtë me qeverinë.

Hapat drejt këtij regjimi janë galopantë e ndërsa pak nga pak në vend po humbet nocioni i ligjit. Njihet vetëm Kryeministri dhe partia! Shteti ligjor është shpallur prej vitesh në kërkim…

 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here