Luli, nga çadra e berishizmit tek ajo e amerikanizmit

0
116

Nga Andi Bushati

Vetëm pasi Lulzim Basha shpalli me gojën e tij se nuk ka ndërmend të lejojë procese demokratike brenda partisë, u bë e qartë se përse, prej një jave, mbështetësit e tij mediatikë u shndërruan në militantë “pro-amerikanë”.

Dikush nxitonte të thoshte se PD nuk ka luksin ti thotë jo SHBA-së, dikush tjetër se vendimi për përjashtimin e Berishës qe i imponuar nga “ata” dhe një i tretë se demokratët, as nuk mund të ëndërronin të vinin në pushtet pa ndihmën e hiperfuqisë. E gjithë kjo zallamahi kishte vetëm një qëllim, ti bënte lavazh truri popullit demokrat, ta zhvishte atë nga aftësia për të argumentuar dhe nga mundësia për të përdorur logjikën, duke i zëvendësuar këto me kauzën boshe të një “amerikanizmi” të pështirë.

Vetëm duke krijuar këtë atmosferë kafkiane, vetëm duke e shpënë debatin publik në këtë absurditet marramendës, ata mund ti përgatisnin Lulzim Bashës shtaratin për të thënë me plot gojën një nga mufkat më të rënda që një lider politik ka lëshuar në këto 30 vjet demokraci: Nuk do lejojmë nënshkrime, mbjedhje forumesh, diskutim demokratik dhe votim referendar, nga fika se mund të damkosemi si parti anti amerikane.

Në kushte normale, do të ishte e turpshme të merrje pjesë në këtë debat kaq idiot, që evokon atë shprehjen e atyre që se nxjerin dot gurin nga lumi. Por meqë gurëhedhësit janë shtuar shumë ditët e fundit, noshta pretendimet e tyre e duan një sqarim.

Qëndrimi i Bashës për të vrarë demokracinë në emër të SHBA-së ngërthen brenda vetes disa paradokse.

Së pari, ata që pretendojnë se e duan Amerikën, e justifikojnë këtë në emër të idealeve të lirisë që ajo ka eksportuar në këtë vend. Ata e shohin si tokën e fjalës, mendimit dhe votës së lirë, si ndihmësen kryesore të rikthimit të demokracisë tek ne, si garantuesen e dominimit të vlerave perendimore në Shqipëri. Ndonëse këto nuk janë të vërteta ekskluzive dhe të pa preksheme, ata duhen kuptuar në bindjen e tyre. Dhe deri këtu fabula mund të funksionojë. Por ama, të përdorësh këtë Amerikë imagjinare, për të shuar demokracinë e brendëshme të një partie, për të shkelur mbi të gjitha ato vlera për të cilat thua se e veneron SHBA-në, kjo është një logjikë që nuk kapërdihet kollaj.

Paradoksi i dytë ka të bëjë me damkosijen e antarësisë dhe votuesve të PD-së si “anti-amerikanë”. Duke pretenduar se nuk mbledh as kuvendin, nuk zhvillon as referendumin – që kërkojnë mbështetësit e Berishës – me pretendimin për të mos lejuar grupime kundër SHBA-së, Basha po tregon se ai i trembet një shumice kundër tij në PD.

Duke e etiketuar këtë shumicë si me prirje dhe vokacion kundër “aleatit tonë të madh”, kreu i PD ngulit përshtypjen se në pjesën më të madhe të kësaj partie gëlokan sentimente që duhen mbajtur të fshehta. Pra gjoja duke pretenduar se po e mbron partinë, ai vetëm e rrënon imazhin e saj.

Paradoksi i tretë i atij që në fakt duhej të qe thjeshtë “i pari mes të barabartëve”, është se duke ndaluar votimin dhe mekanizmin demokratik, me justifikimin se aty mund të ngadhënjejnë “anti- amerikanët”, Basha tregon se nuk është i bindur për legjitimitetin e tij në krye të PD-së. Pra, nëse ai është lideri atlantist i një force që voton kundër këtyre vlerave, minimumi, ai nuk do të kishte vend në krye të saj. Në këtë rast ai duhej të largohej nga kjo parti dhe të krijonte një tjetër, ku militantët ta votonin për atë që përfaqson dhe jo sepse arrin ti nënshtojë duke uzurpuar selinë.

Në fakt, ky debat është krejt i pavlerë pasi shqetësimi real i Lulzim Bashës nuk ka të bëjë aspak me ëndrrën e tij amerikane, por është shumë më utilitar dhe meskin sesa kaq. E gjitha ka të bëjë me kokfortësinë e tij për të qëndruar në krye të një partie që po e mpak si lëkura e Shagrenit.

Pikërisht këtë ka kuptuar edhe vetë ambasadorja amerikane në Tiranë që i dha një sinjal përmes VOA, për mos keqpërdorimin e Amerikës në debatin e brendëshëm partiak. E pyetur në mënyrë të drejtpërdrejtë nëse kishte ushtruar presion për përjashtimin e Berishës, Yuri Kim e kaloi topin direkt tek Basha. Ajo tha se Shqipëria është një vend i NATO-s dhe liderët politikë duhet ta mbajnë mbi supe peshën e akteve të tyre, pa u fshehur pas vendit që ajo përfaqëson.

Natyrisht, Yuri Kim nuk thotë të vërtetën. Presioni i diplomatëve amerikanë mbi Bashën dhe rrethin e tij të ngushtë, që ata ta përjashtonin sa më shpejt Berishën, ka qenë në kufijtë e të pa përballueshmes.

Por, kur vjen puna për të mbrojtur përzierien kaq flagrante brenda një familjeje politike, arogancën dhe brutalitetin e shkeljes të gjitha rregullave dhe ligjeve të funksionimit të saj, shpërfilljen e ndjenjave të militantëve në emër të interesave të kastës, këtë as Yuri Kim nuk ka guxim ta marrë përsipër.

Pikërisht këtë po bën Lulzim Basha: Ai po thotë se si demokrat do Berishën, por si pro amerikan mund ta “vrasë” atë.

Ky dyzim fatal, përbën në fakt edhe esencën e udhëtimit të tij fatkeq në krye të një partie, lideri i së cilës nuk u bë dot kurrë. Ai mbiu aty si prurje e Berishës, u bë pjesë e të gjitha mëkateve dhe krimeve të pushtetit të tij, e përdori atë për të fituar një garë të pabarabartë me Sokol Olldashin, për të spastruar më pas të gjithë kritikët dhe konkurentët dhe për të justifikuar disfatat e njëpasnjëshme.

Për tetë vite ai ishte lideri që ndejti në hije.

Ndërsa tani thjeshtë po ndryshon pemë. Po kalon nga sqetulla e Saliut tek ajo e Yurit, sepse nuk është dot në gjendje të mbrojë vendimet që i duhet të marrë. Kjo paaftësi është në fakt problemi real i partisë së tij. PD, gjendet sot para një dileme: pro apo kundër Bashës dhe kjo e vërtetë nuk mund të fshihet asesi duke i mbivendosur debatin e stisur, pro apo kundër SHBA-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here