Debatet në PS e Shkodrës/ Ja si u tall Rama dhe Yuri Kim me Tom Doshin..

0
193

Tom Doshi u vu në shënjestër të një fushate akuzash dhe presioni të ambasadës amerikane para zgjedhjeve të 25 Prillit. Synimi ishte bllokimi i kandidimit të tij si deputet me Partinë Socialdemokrate. Uuri Kim i kërkoi Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve të mos e lejonte atë të kandidonte për deputet.

Por juristëve të KQZ-së nuk u mjaftonte dot thjesht fakti që Tom Doshi ishte shpallur “non grata” nga DASH. Për sa kohë në prokurori nuk kishte asnjë procedim penal, asnjë hetim, asnjë dosje që mund t’i përdorej kundër, Doshi kandidoi në zgjedhje dhe siç dihet mori 3 deputetë me PSD-në e tij. Në mungesë të provave juridike për t’i paraqitur në KQZ, Yuri Kim u drejtua për nga aleati tradicional i Tom Doshit, Edi Rama

Kim i kërkoi Ramës të distancohej, por për kryeministrin kjo nuk qe aq e thjeshtë. Me Tom Doshin atë e lidh një marrëdhënie e gjatë bashkëpunimi që kur ishte opozitë. “Kam krijuar pak konfuzion por mendoj që është koha e duhur për të qartësuar çdo konfuzion dhe për të qenë absolutisht të qartë se ku qëndrojmë të gjithë”, shprehej Juri Kim në një intervistë para zgjedhjeve, duke pranuar se luajaliteti i Ramës e kishte habitur.

Në fakt, pavarësisht një marrëdhënieje me ulje dhe ngritje ndër vite, nuk ka asnjë deklaratë publike të Ramës kundër Doshit, edhe kur u detyrua ta përcjellë jashtë selisë së PS-së për shkak të konfliktit me Ilir Metën. I gjendur nën presionin e ambasadës amerikane për t’u deklaruar kundër Tom Doshit, Rama dha këtë përgjigje

“Ne duhet të merremi me Saliun përpara të cilit Tom Doshi është engjëll, duhet të merremi me Ilirin përpara të cilit Tom Doshi është engjëll, duhet të merremi me Monikën përpara të cilës Tom Doshi është engjëll. Ndërkohë për Tom Doshin, unë nuk kam asnjë dallim nga ambasadorja dhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara. Në raport me ta është engjëll. Nëse Tom Doshi është përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara për korrupsion domethënës, unë nuk kam asnjë arsye ta vë në dyshim përcaktimin e tyre dhe për këtë arsye, ne nuk jemi aleatë”.

Megjithatë për ta qetësuar ambasadoren, e priti në zyrën e tij në kryeministri. Nga takimi me Ramën, Juri Kim doli me një qëndrim, që ngriti shumë pikëpyetje. Sipas saj, spekulimet morën fund, sepse Rama i kishte premtuar se në qeverinë e tij, Tom Doshi nuk do të kishte asnjë rol. “Më lejoni t’i jap fund spekulimeve: kryeministri Edi Rama më sqaroi se çfarë do të thotë ky emërim. Në fakt, kryeministri më kujtoi se ai e kishte përjashtuar personalisht këtë person nga PS. Ai theksoi se ky person nuk do të ketë asnjë rol në qeveri”, shkruajti ambasadorja në shkurt të këtij viti, duke i dhënë fund debatit që kishte krijuar vetë.

Ishte e habitshme se me çfarë lehtësie ambasadorja i dha fund një fushate, që e kishte bërë aq të zhurmshme në media. A ishte vërtet kaq naive ambasadorja amerikane sa të besonte se aleanca e vjetër Rama-Doshi kishte marrë fund me një takim të saj në kryeministri?

Në fakt, edhe pse Tom Doshi ka dorëzuar mandatin e deputetit, edhe pse publikisht Rama ka thënë se nuk ka aleancë me PSD, në terren ndodh krejt e kundërta.

Madje në mbledhjet e tyre të brendshme, drejtuesit socialistë e pranojnë se PSD është një aleat i nevojshëm që ka tre deputetë, votat e të cilës i duhen shumicës qeverisëse në parlament. Kjo dëshmohet nga fjalët e Damian Gjiknurit dhe të Blendi Klosit, të cilët duhet të justifikojnë ndarjen e pushtetit me Doshin, përballë socialistëve të Shkodrës, që ankohen për punësimet në masë nga PSD.

Diskutimet e zbardhura më poshtë:

DEBATI ME DYER TË MBYLLURA

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Nuk ka më drejtorë pa kontribut që do emërohen.

Blediana Nika (anëtare e PS): Pa kontribut janë!

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Më lër ta mbaroj të lutem..

Blediana Nika (anëtare e PS): Jo nuk të lë të mbarosh se këtu kanë ardhur njerëz nga dritarja dhe duan të na nxjerrin ne që kemi kontribut nga dera. Aleati i PS në Shkodër ka marrë punësime e drejtorë e gjithçka…

Blendi Klosi (sekretar organizativ i PS): Aleatin është e vërtetë që e kemi. Partia aleate ka marrë votat përkatëse, ka dy deputetë dhe ato vota duhet që t’i ruajmë edhe aleatit duke qenë se është me ne…

Blediana Nika (anëtare e PS): Ata nuk janë votat e tij, por janë votat tona të PS. I keni dhënë vende pune, drejtorë e të tjera dhe tani merr edhe dy deputetë. Mbi 50% të punësimeve i ka aleati. Unë jam në Velipojë njësi fituese ndryshe nga shumë tjerë që kanë humbur dhe më kanë hequr nga puna si drejtoreshë e ZVA Shkodër. Ju doni të na hidhni hi syve.

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Kryeministri Rama do të dijë që këto vota të PS Shkodër që janë mbledh, kush i ka mbledh, kush ka kontribuar. Nuk ka më punësime pa kontribut në PS. Edona është pa eksperiencë, por ka mësuar këto 6 muaj shumë dhe patjetër që do ketë ndihmën tonë se kjo punë nuk bëhet vetëm por nëse jemi të mbledhur bashkë të gjithë, të bashkuar.

Paulin Sterkaj (deputet i PS): Ja keni dhënë vendet e punës Aleatit.

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Kryetarët e bashkive duhet që të bëjnë gati terrenin se do futeni në zgjedhje lokale.

Gjon Gjonaj (kryetar i bashkisë Pukë): 5 vende punë në Pukë që janë me ato një mijë vota që ka Aleati merr 3 prej tyre, nga dy që mbesin një e punësoj unë dhe një ju. Kështu nuk bën.

Blendi Klosi (sekretar organizativ i PS): Më 26 prill pas zgjedhjeve Parlamentare ka nisur një kapitull i ri. Në 2009 në Shkodër kemi fituar 9 komuna ne dhe 9 PD, pra ka qenë një rezultat i mirë. Duhet që të fitojmë bashkitë në zgjedhjet vendore që vijnë, kjo është kërkesë edhe e Kryeministrit.

Gjon Gjonaj (kryetar i bashkisë Pukë): Ne nuk kemi terren për të punuar për zgjedhjet vendore kështu si thoni ju sepse vendet e punës ia jepni Aleatit dhe ai merr vende pune më tepër se unë që jam kryetar bashkie.

Fran Tuci (kryetar i bashkisë Fushë Arrës): Në Fushë Arrës mua më kanë sabotuar deputetët e PS të Shkodrës. Janë munduar deputetët e PS që Fushë Arrësi të dalë keq në zgjedhjet e 25 prillit. Si ti marrim votat ne në zgjedhjet vendore që do jenë me këtë situatë. Ma kanë bërë këtë punë duke më sabotuar për të thënë qytetarët në Fushë Arrës që Frani nuk merr vota më dhe nuk del më kryetar bashkie. Fushë Arrësi nuk ka drejtora por ka ndonjë inspektor apo ndonjë shef, edhe këto inspektora e shefa i punëson Puka, mua nuk më mbetet asgjë dhe tani kërkoni që të bëhemi gati për zgjedhjet e ardhshme.

Paulin Sterkaj (deputet i PS): Ti e di Damian që jam mbështetës i joti dhe kam qenë edhe më përpara se je djalë simpatik. Para zgjedhjeve na pyet kryeministri Rama ne dhe para zgjedhjeve na do shumë fort dhe na pyet, por pa zgjedhjeve merret me ju. Duhet të dini se PS ka djem e vajza shumë të mirë dhe me integritet të lartë që nuk po i vjen radha kurrë se nuk po i lini dhe se vendet e punës i merr Aleati.

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Do rishikohen gjithë drejtorët dhe nga sot e mbrapa ata që do emërohen do jenë se s’bën me kontribut në PS.

Blediana Nika (anëtare e PS): Gjithë drejtorët në Shkodër i keni marrë të gjithë prej rruge, nuk kanë punë me PS.

Paulin Sterkaj (deputet i PS): Vendosën drejtorat dhe nuk më pyet kush mua si deputet, po një jashtë fare që është socialist kush e pyet.

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Unë i dua në letër të shkruar drejtorët se kush është i joni, pra i PS dhe kush janë të aleatit. Anëtarët e partisë dhe kryetarët e organizatave do jenë në sistemin e digjitalizimit të partisë që po bëjmë. Ky proces duhet që të mbarojë deri në dhjetor po ashtu deri në dhjetor duhet të mbarojnë edhe vendosja e kryetarëve të PS në njësi dhe bashkinë Shkodër. Pas dhjetorit duhet të bëhemi gati për zgjedhjet lokale.

Edona Bilali (deputete e PS, drejtuese politike e PS qarku Shkodër): Ai kryetar organizate i PS që humb në zgjedhje në zonën e tij nuk të jetë më, duhet të vendoset dikush tjetër nga brenda organizatës.

Damian Gjiknuri (sekretar i përgjithshëm i PS): Mos u mundoni për shifrat se ato i ka kryeministri Rama në zyrë. Kush ka një pozicion pune do rishikohen votat dhe kontributi i tij, nuk ka më emërime pa kontribut

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here