Me rastin e 110-vjetorit të ngritjes së Flamurit Kombëtar në Deçiç nga Heroi Ded Gjo Luli gjatë kryengritjes së Malësisë së Madhe dhe të Kuvendit historik të Grecës,
Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Ilir Meta mori pjesë dhe përshëndeti veprimtarinë historike, kulturore dhe artistike të Shoqatës “Kënga Jonë”, që u zhvillua në Shkodër.
Kreu i Shtetit çmoi me Dekoratën “Nderi i Kombit” luftëtarin e paepur dhe atdhetarin legjendar Prekë Cali (pas vdekjes) “Për kontribut të shquar në mbrojtjen e kufijve shqiptarë në Kelmend të Malësisë së Madhe, gjatë viteve 1911-1926. Në nderim të sakrificave të tij sublime, që lartësuan flamurin kombëtar, duke luftuar deri në vetëmohim për liri dhe mëvetësi”.
Presidenti Meta dekoroi me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” atdhetarët e shquar: Pretash Zekë Ulajn (pas vdekjes) “Në vlerësim të kontributeve të spikatura si komandant i flamurtarëve të Kojës, në ngritjen e flamurit në malin e Deçiçit, më 6 prill 1911. Me mirënjohje dhe nderim ndaj sakrificave, atdhetarizmit dhe patriotizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar dhe vlerat liridashëse të shqiptarëve.”; Prekë Gjolajn (pas vdekjes)“Me mirënjohje ndaj kontributeve dhe akteve trimërore me pushkë e me penë në dorë për lirinë dhe mbrojtjen e trojeve shqiptare të Malësisë së Madhe e më gjerë, gjatë viteve 1911-1921.
Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar.”; si dhe Kolë Maç Smajlajn (pas vdekjes) “Me mirënjohje ndaj kontributeve të shquara për mbrojtjen e trojeve shqiptare në vitet 1911-1921, duke luftuar deri në vetëmohim. Në nderim të sakrificave dhe atdhetarizmit të treguar për të lartësuar flamurin kombëtar”. Në fjalën e Tij përshëndetëse, Presidenti i Republikës, u shpreh: “Jam shumë i lumtur, që ndodhemi së bashku, për të nderuar një nga kryengritjet më të rëndësishme, që i parapriu Pavarësisë së Shqipërisë, ngritjen e Flamurit Kombëtar në Deçiç. Jemi këtu, për të nderuar përpjekjet e patriotëve të mëdhenj të këtyre trevave, që kurrë nuk i kanë munguar vendit tonë në çdo kohë.
Sot jemi këtu, për 4 patriotë të veçantë, në kujtim të një momenti shumë të rëndësishëm në historinë e vendit tonë dhe jo vetëm të Malësisë! 110 vjet më parë, mendja, sytë dhe shpirti luftarak i shqiptarisë ishin drejtuar në zemrën e Malësisë, në këtë vatër të atdhedashurisë. Vitet 1910-1911 ishin vite të zhvillimeve të stuhishme, pasi dhuna dhe represioni i pushtuesit otoman kishte detyruar të linin trojet, duke u larguar nga shtëpitë shumë qendrestarë e patriotë të spikatur shqiptarë. Kjo situatë solli krijimin e Komitetit të Kryengritjes, apo Komitetin e Podgoricës, të cilët të udhëhequr nga legjendari Ded Gjon Luli, më 24 mars 1911, filluan Kryengritjen e Malësisë. Kjo kryengritje shumë shpejt morri përmasa të jashtëzakonshme dhe pas sukseseve të dy javëve të para, në 6 prillit 1911, trimat e Malësisë, të mbështetur dhe nga përfaqësues të viseve të tjera, çuan në vend amanetin e Gjergj Kastriotit, duke shpalosur flamurin kombëtar me shqiponjën dy-krenore në Deçiç.
Në këtë kryengritje nuk ushtoi vetëm pushka dhe trimëria, por spikati dhe mendja e pena diplomatike e prijësve, që realizuan kuvendin historik të Greçës. 12 kërkesat e memorandumit, të shkruara në këtë kuvend, kishin në themel lirin, mëvetësinë dhe Flamurin Kombëtar. Kryengritja e Malësisë dhe gjithë përpjekjet e popullit tonë, për liri e pavarësi, janë udhëhequr e drejtuar nga udhëheqës të zotë, të pushkës e penës, njëri prej të cilët ishte dhe mbetet përgjithmonë Prek Cali, lindur në vitin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, në familjen e Hasanajve të Kelmendit. Në këtë fis dhe truall, ai u rrit dhe edukua me vlerat më të mira të trashëguara: urtësia, bujaria, trimëria dhe besa, e mbi të gjitha atdhedashuria.
Për më tepër se gjysmë shekulli, Prek Cali ishte i pari në betejat më të vështira, aty ku luftohej me pushkë, por aty ku luftohej edhe me mendje. Ai dallonte për mençuri e trimëri, duke u bërë një ndër udhëheqësit në të shquar të kryengritjeve për liri dhe pavarësi. Prekë Cali, do të ishte kryeluftëtari në mbrojtje të kufijve të Vermoshit e Kelmendit, duke i prirë Malësisë, si patriot e atdhetar. Ai i kundërvihej çdo lloj pushtuesi, pa harruar edhe angazhimin e tij, për ruajtjen e qetësisë dhe sigurinë, në zonën ku jetonte e vepronte. Prekë Cali, mbetet një nga figurat qendrestarë më të spikatura të kohës, që si rrallë kush, jo vetëm luftoj për të ruajtur të paprekur kufijtë e Atdheut, por diti të udhëheq me drejtësi dhe urtësi popullin e tij.
Për gjithë këtë veprimtari të shquar të tij, në mbrojtje të kufijve të vendit dhe të ngritjes së flamurit kombëtar, kam kënaqësinë që t’i akordoj Dekoratën e lartë ‘Nderi i Kombit’.