Rigels Xhemollari nga Qëndresa Qytetare, i ftuar në Edicionin e Pasdites me moderatoren Armela Ferko, foli për problematikat që kanë hasur fëmijët, që në ditët e para të shkollës.
Xhemollari thekson se reagimi i ministres Evis Kushi, që tha se disa shkolla duhet të bëjnë mësim 25 minuta e disa 45 minuta është skandaloz.
Ai shton se komuniteti i prindërve ka reaguar me shumë guxim, pasi me prindërit, në asnjë vend të BE-së dhe SHBA-ve nuk mundesh të tallesh.
“Jemi shumë të lumtur dhe krenar, që po ndihmojmë prindërit, që kanë vendosur të reagojnë për arsimin e fëmijëve të tyre. Në Europë dhe në SHBA komuniteti i prindërve është më i rëndësishmi. Atje edhe një këngë që nuk është e përshtatshme, nuk publikohet, nëse një prind ankohet. Jo t’i thuash fëmijëve do bësh mësim me 25 minuta lënda, që është tallje.
Ka shumë shkelje ligjore, ku shkelet ligji numër 6 për arsimin, teksa komuniteti i mësuesve nuk është pyetur. Nuk mund ta njoftosh as një ditë përpara, nuk mund ta trajtosh prindin si pa vlerë. Reagimi i Kushit ishte skandaloz. Ministrja thotë se disa shkolla do bëjnë mësim 25 minuta e disa shkolla do bëjnë 45 minuta. Kjo është diskriminuese. Prindërit të firmosin peticionin për nismën për të kërkuar të drejtat e fëmijëve”, deklaron Xhemollari.