Nga erdhi rritja e ndërtimit?

0
116

Ndërtimi ishte një nga aktivitetet që u ndikua më pak nga kriza e pandemisë, teksa sektori rezidencial përfitoi dhe nga lulëzimi i pazakontë i shitjeve të pasurive të paluajtshme, që udhëhoqi performancën ekonomike në vitin 2020.

Prodhimi i Brendshëm Bruto në sektorin e ndërtimit, në vitin 2019, ishte rreth 147 miliardë lekë (1.2 miliardë euro), pas tkurrjes në 2019-n. Që prej 2014-s, sektori i është rikthyer ciklit zgjerues, ndonëse me ritme më të ulëta se në periudhën e mëparshme.

Pesha e ndërtimit ndaj PBB-së në total u rrit me 0.6 pikë përqindje, në 9.2%, duke arritur në nivelin më të lartë që nga 2013-a. Pas dy tremujorëve të parë me rënie, rigjallërimi erdhi në gjysmën e dytë të vitit, i nxitur dhe nga rifillimi i procesit të rindërtimit pas tërmetit (shpenzimet kapitale u zgjeruan me 13.5% në 2020-n, sipas shifrave të buxhetit faktik të publikuara nga Ministria e Financave).

Ndërtimi e mbylli vitin me rritje 1.9%, ndërsa aktiviteti i pasurive të paluajtshme u zgjerua me 7%.

Pjesa më e madhe e kompanive të ndërtimit raportuan zgjerim të ndjeshëm të të ardhurave, sidomos në sektorin rezidencial. Këtë vit u shënua dhe një numër i lartë i hyrjeve të reja nga ky sektor në renditjen e “Monitor 200”, për shkak të rritjes së shpejtë, ndërkohë që pjesa tjetër e ekonomisë ishte në stanjacion dhe tkurrje.

Qarkullimi vjetor i kompanive të ndërtimit, (apo nënkontraktorëve) dhe atyre të lidhura me to, të renditura në “Monitor 200”, shënoi rritje me 11.4% me bazë vjetore në 2020-n, pas një tkurrjeje prej 7% vitin e mëparshëm.

Subjektet e ndërtimit kanë luhatje të mëdha të aktivitetit, në varësi të projekteve inxhinierike ku janë të përfshira, apo të ciklit të shitjes së apartamenteve.

“Gjoka Konstruksion”, që vepron dhe si nënkontraktor i “Gjoka 87” në koncesionin për ndërtimin e Rrugës së Arbrit ishte më e madhja e ndërtimeve në fushën inxhinierike në vend për 2020-n. Të ardhurat e saj u rritën me 17%, në 7 miliardë lekë.

Sipas raportit të aktivitetit, për vitin 2020 dhe në vazhdim, shoqëria “Gjoka Konstruksion” ka punuar për zbatimin e kontratës për përmirësimin, ndërtimin, operimin dhe mirëmbajtjen e Rrugës së Arbrit dhe me projekte të tjera për ndërtimin dhe rehabilitimin e rrjetit të ujësjellësit në Peshkopi, Konispol, Mamurras. Përfaqësia në Kosovë ka zhvilluar aktivitet në zbatim të kontratës së lidhur me Ministrinë e Infrastrukturës në Republikën e Kosovës, me objekt: Ndërtimi i autoudhës A7.1, Kryqëzimi me disnivel A6/A7.1 (Banullë) – Dheu i Bardhë, Pjesa: kryqëzimi në disnivel A6/A7.1 (Banullë) Udhëkryqi Bresalc -L=22.31 km, Loti 27. Të ardhurat në Kosovë ishin 72 milionë lekë.

“Shijaku”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, është sipërmarrja e dytë më e madhe e ndërtimeve në vend për 2020-n. Të ardhurat e saj ishin rreth 6.3 miliardë lekë, me zgjerim 5.6% me bazë vjetore. Kompania është zgjeruar vitet e fundit në sektorin e ndërtimit, hotelerisë dhe HEC-eve. Në raportin vjetor, thuhet se për vitin 2020, pavarësisht situatës së papërshtatshme ekonomike, si rrjedhojë e pandemisë, shoqëria ka pasur ecuri të mirë, duke kompensuar tkurrjen në pjesën e parë të vitit me muajt në vijim.

“Gener 2”, me aktivitet në ndërtimet inxhinierike, rezidenciale dhe menaxhimin e qendrave tregtare, ka pasur aktivitet pozitiv në 2020-n, me rritje të të ardhurave 19%. Kompania është zgjeruar ndjeshëm në ndërtimet rezidenciale vitet e fundit, nëpërmjet ngritjes së disa komplekseve pranë zonës së Liqenit Artificial në kryeqytet. Sipas raportit vjetor, rreth 60% e të ardhurave ka ardhur nga shitje ndërtimi për të tretë, me rritje 75% në raport me vitin e mëparshëm. Qendrat e biznesit i sollën kompanisë rreth 16% të qarkullimit vjetor.

“Alb-Star”, me aktivitet në fushën e ndërtimit dhe infrastrukturës kishte të hyra prej 6 miliardë lekësh, me tkurrje 29%. Nga dhjetori i vitit 2016, “Alb-Star” është pjesë e grupit holding “Finman”.

“TREMA ENGINEERING 2” hyn sërish në listën e “Monitor 200”, pas zgjerimit të qarkullimit vjetor me 78%. Në rritje ishte dhe “Salillari”, me 15%.

“Alb Building” ka parë tkurrje me gati 22%, në 4.3 miliardë lekë. Kompania thotë në raportin vjetor se, për vitin 2020, ka vijuar aktivitetin në projektet si segmenti rrugor Qukës – Qafë Plloçë, së bashku me tunelin dhe segmentin e rëndësishëm “Fier Bypass”. Është përfunduar totalisht projekti “Bulevardi Verior i Tiranës”.

“Fusha sh.p.k.”, vijoi rritjen e shpejtë për të dytin vit radhazi, duke u zgjeruar me 28%, në 3.1 miliardë lekë.

“GPG COMPANY”, që merret kryesisht me punë të lidhura me fonde publike, në ndërtimin e rrugëve në të gjithë territorin e Shqipërisë, u rrit me 42%, në 2.6 miliardë lekë.

Dega e shoqërisë së huaj kuvajtiane, “Combined Group Contracting Company” (K.S.C.) shënoi rënie të lehtë të të ardhurave me 2.3%, në 3 miliardë lekë. Për vitin 2020, kjo shoqëri ka realizuar projektet për ndërtimin e rrugës Qukës – Qafë Plloçë dhe Fier Bypass, të ardhura nga nënshkrimi i kontratave përkatëse me Autoritetin Rrugor Shqiptar.

“Gjikuria” u zgjerua me 15%, në 2.1 miliardë lekë. Shoqëria thekson në raportin vjetor se është duke realizuar projekte të ndryshme të financuara nga buxheti i shtetit dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Kompania “A.N.K”, e cila ka fituar koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren, me një kontratë prej 256 milionë eurosh për 17 kilometra rrugë, e shumëdebatuar për vlerën e kripur, nuk figuron në listën e 200 kompanive më të mëdha në vend. Të ardhurat ishin 1.2 miliardë lekë në 2020-n, me rënie 11% nga viti i mëparshëm.

Turkja “Limak Insaat Sanayi ve Ticaret”, e angazhuar në punimet për HEC-in e Devollit, nga vendi i parë ku ishte në 2018-n, në vitin 2020 ka dalë nga lista e “Monitor 200”, pas përfundimit të punimeve për HEC-in.

Sektori rezidencial

Që prej vitit 2016, sektori i ndërtimeve rezidenciale po njeh rritje të vazhdueshme, i nxitur nga shtimi i ndjeshëm i lejeve të ndërtimit dhe kanalizimi i parave informale në blerjen e pasurive të paluajtshme. Vitin e fundit, edhe sektori bankar ka shtuar financimin në kredinë hipotekore.

Shtrenjtimi i vazhdueshëm i çmimeve të apartamenteve është një tjetër faktor që ka ndikuar në rritjen e qarkullimit vjetor të këtij segmenti. Sipas indeksit të “Key Data Albania”, një publikim nga “Çelësi Media Group”, çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 70% nga viti 2005 dhe tendenca vijoi edhe në 6-mujorin e parë të 2021.

Vitet e fundit, sektori ka njohur zgjerim edhe në ndërtime me fokus në hoteleri e turizëm, pas kthimit të Shqipërisë në një destinacion të preferuar turistik dhe kërkesës së lartë nga agjencitë e mëdha europiane turistike për të parablerë prenotime për klientët e tyre. Krahas tyre, fshatrat turistikë vijojnë të mbeten një investim tërheqës për sipërmarrësit vendas, për shkak të kthimit të shpejtë dhe më me pak mundime, që ato kanë në raport me investimin në hoteleri.

“Green Coast”, pjesë e grupit “Balfin”, që po ndërton kompleksin turistik të vilave me të njëjtin emër në Jug të vendit, ka më se dyfishuar aktivitetin në 2020-n, duke realizuar një qarkullim vjetor prej 3.6 miliardë lekësh, që e bën atë operatorin më të madh në fushën e turizmit elitar.

“Kontakt sh.p.k.” ishte në vitin 2020 ndërtuesi më i madh rezidencial (pa përfshirë Gener 2, që ka një aktivitet më të diversifikuar përveç ndërtimeve rezidenciale dhe “Green Coast” në turizëm). Kompania u rrit me 53%, duke deklaruar të ardhura prej 3.5 miliardë lekësh. “Aktiviteti i shoqërisë ka vazhduar pa ndalesa gjatë vitit 2020, dhe ka pasur një performancë relativisht të qëndrueshme në shitje dhe ka arritur rezultate shumë pozitive. “Homeplan”, pjesë e të njëjtit grup aksionerësh, trefishoi aktivitetin në 2.1 miliardë lekë, duke hyrë në listën e “Monitor 200”.

“Mane TCI”, pjesë e grupit “Balfin”, e fokusuar në ndërtim, shënoi rënie me 21% të të ardhurave në 3.5 miliardë lekë. “Gjatë vitit 2020, shoqëria ka pasur nivele të qëndrueshme të arkëtimit të klientëve, ka vijuar zhvillimi i projekteve aktuale dhe të reja (AS Construction) duke rezultuar në nivele relativisht të larta likuiditeti për të mbështetur zhvillimet e mundshme të pandemisë në të ardhmen. Shoqëria, si pasojë e pasigurive të shkaktuara nga Covid-19, nuk ka pasur ndikime të rëndësishme në arkëtueshmërinë e klientëve, përkundrazi ka pasur ripagime në nivele më të larta sesa pritej”, thuhet në raportin vjetor.

Po pjesë e grupit “Balfin”, “SINGAPORE EUROPE REAL ESTATE (S.E.R.E)” deklaroi qarkullim vjetor prej 1.5 miliardë lekësh, me tkurrje 19%. Sipas raportit vjetor, viti 2019 shënoi përfundimin e investimit në projektin “Park Gate”, në hyrje të Parkut të Liqenit të Tiranës dhe në vitin 2020, shoqëria ka shitur pjesën më të madhe të pronave përbërëse të këtij projekti. Në raport theksohet se mungesa e fuqisë punëtore për të përfunduar një projekt, ose për të arritur qëllimet e produktivitetit, është një rrezik i madh kur merren projekte të reja.

“Agi Kons” ka raportuar rënie të lehtë të të ardhurave me 3.4%, në 2.9 miliardë lekë.

“Edil-Al-It” ka vijuar rritjen për të dytin vit radhazi, duke u zgjeruar me 13.5%, në 2.3 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, shoqëria në vitin 2020, ka vijuar aktivitetin në përfundimin e ndërtimit të qendrave rezidenciale “Rezidenca Alba” dhe “Fiori Di Bosco”. Projekti më i rëndësishëm për 2020 vazhdon të jetë sipërmarrja e punimeve të ndërtimit të kompleksit rezidencial dhe strukturës hoteliere me 5 yje “San Pietro” ne Gjirin e Lalëzit, me investitor “Concord Investment” sh.p.k. Aktiviteti i Shoqërisë nuk u ndikua në mënyrë të ndjeshme nga pandemia dhe situata e kufizimit të lëvizjeve. Shoqëria pati ndikim në rënie të shitjeve, si pasojë e uljes së të ardhurave nga aktiviteti kryesor vetëm me 11.5%.

“Parc Construction” rriti të ardhurat në vitin 2020, me 34%, në 1.6 miliardë lekë, pas tkurrjes së vitit të kaluar, duke hyrë sërish në listën e “Monitor 200”. Sipas raportit vjetor, në vitin 2019, shoqëria përfundoi me sukses ndërtimin e objekteve DGH. Ndërsa objekti L dhe Zyra nisën ndërtimin për t’u përfunduar në vitin 2021. Për vitin 2021, shoqëria ka planifikuar të përfundojë një proces privatizimi të një trualli me sipërfaqe rreth 28,000 m², si dhe të fillojë ndërtimin e një objekti të ri.

“Alba Construction” shënoi rënie të lehtë të të hyrave në 2020-n (-2.3%), në gati 2 miliardë lekë. Gjatë 2020-s, kompania ka zbatuar edhe ndërtimin e disa objekteve me fonde publike, sipas raportit vjetor, i cili parashikon rritje edhe për vitet në vijim.

“Kika” pa rënie të të ardhurave me 13%, në 1.6 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor, kompania ka vijuar ndërtimin e godinave të banimit.

Një hyrje e re në “Monitor 200” është “Kastrati Construction”, me rritje të aktivitetit prej 41%, në 1.6 miliardë lekë. Një ndër projektet më të mëdha të shoqërisë është investimi dhe ndërtimi në një godinë polifunksionale “Down Town One”, me 37 kate mbi tokë dhe 5 kate nën tokë, në bulevardin “Zhan Dárk”.

 

Përkundrejt tendencës tkurrëse të popullsisë dhe rritjes së ngadaltë të të ardhurave zyrtare, sektori i ndërtimit rezidencial po vijon aktivitetin, sidomos në kryeqytet. Në vitin 2019, sipërfaqja e lejeve të ndërtimit arriti nivel rekord në dekadën e fundit. Ndonëse kërkesa nuk duket se premton shumë, kompanitë e ndërtimit nuk tërhiqen, sidomos në kryeqytet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2019, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi ishte rreth 1.5 milionë m², me një rritje prej 55% në raport me vitin e mëparshëm dhe niveli më i lartë të paktën që nga viti 2012.

Ndonëse me ritme më të ulëta, edhe në 2020-n, në vitin e pandemisë, sipërfaqja e dhënë për leje ndërtimi arriti në 1.1 milionë m².

Në kryeqytet ka filluar ndërtimi i një sërë kullave, si “Down Town1” tek ish- “7 Xhuxhat”, një kullë me 40 kate. “Book Building” po ndërtohet pas Sahatit dhe sipas lejes zhvillimore, është godinë shumëfunksionale 4, 5, 11 dhe 21 kate. “MET Building Tirana”, pranë Hotel Dajtit, do të jetë një kullë 12-katëshe. “Syri i Tiranës” po ndërtohet në pikëlidhjen mes Rrugës së Kavajës dhe asaj të Durrësit.

Ndërkohë, që në qendër, kanë nisur punën shumë projekte luksoze apo kulla, çmimet e tyre arrijnë deri në 4 mijë euro/m², më të shtrenjtat në rajon.

Prodhimi i çimentos, me rritje

Rritja e ndërtimit ka ndikuar pozitivisht dhe në industrinë e prodhimit të çimentos, që ka parë një rritje dyshifrore. Kompanitë raportojnë se sektori i çimentos regjistroi nivele konsumi afërsisht 1.5 milionë tonë, një zgjerim prej 11.2% krahasuar me 2019. Ecuria pozitive ishte si rezultat i punëve madhore të shumta, si dhe rindërtimeve pas tërmetit, të cilat ishin të qëndrueshme në të gjithë territorin shqiptar. Në gjysmën e dytë të vitit, pas lehtësimit të masave kufizuese, u rrit edhe kërkesa në tregjet kryesore të eksportit në rajon.

“Fushë Krujë Cement Factory” raportoi të ardhura 7.5 miliardë lekë, me rritje 8.2%, sipas të dhënave nga Tatimet (kompania nuk ka dorëzuar ende bilanc).

“Antea Cement” kishte një qarkullim vjetor prej 7.48 miliardë lekësh, me rritje 12.3%. “2020-a u karakterizua nga një performancë e qëndrueshme dhe solide për ‘Antea Cement’. Kompania adresoi me sukses sfidat e çimentos, kërkesat si në tregjet vendore, ashtu edhe në ato të eksportit dhe kapitalizoi rezultatin e saj me një kërkesë të tillë”, thuhet në raportin vjetor.

“Colacem Albania” raportoi të ardhura 2 miliardë lekë, me rritje 27%, duke hyrë sërish në listën e më të mëdhenjve. Sipas raportit të aktivitetit, shitjet u zgjeruan me rreth 15% në terma të përgjithshme, ku për klientë vendas u përmirësuan me 17.1%, ndërsa eksportet, me 9%. Sa u përket çmimeve të shitjeve në monedhën vendase, ato regjistruan rritje të konsiderueshme.

“Elbasan Cement Factory”, sipas Tatimeve, ka dalë nga lista e më të mëdhenjve.

Vit i mbarë për industrinë mbështetëse

Karantina e ka ndikuar veçanërisht pozitivisht sektorin e materialeve të ndërtimit dhe hidrosanitareve. Qëndrimi në shtëpi bëri që shumë familje të shfrytëzonin kohën e lirë për të rinovuar ambientet e brendshme, krahas nxitjes që mori ky segment nga vrulli i ndërtimeve të reja.

Rritja është nxitur dhe nga rimëkëmbja e kompanive rezidenciale dhe vijimi i ndërtimeve në turizëm.

Më i madhi në treg është “Brunes”, me aktivitet në tregtimin e materialeve të ndërtimit, qeramikë dhe hidrosanitare, që ka parë zgjerim të të ardhurave me 6%, në 3.2 miliardë lekë.

“DELTA” (tregti pllakash dhe pajisje hidrosanitaresh), sipas Tatimeve kishte rritje të ardhurash me 16.2%, në 3.6 miliardë lekë.

“DAST” (Delta Adhesive Structural Tech) u zgjerua 19.3% në 2.6 miliardë lekë.

Prodhuesi i profileve të aluminit, “Alumil”, raportoi të ardhura prej 2 miliardë lekësh, duke shënuar rritje prej 5%.

“Hidrosanitare Sinani” ka vijuar rritje me 11%, në 2.2 miliardë lekë.

“Billa” ra me 2.6%, në 2.25 miliardë lekë.

“Everest”, me aktivitet në prodhimin e profileve të aluminit, raportoi rritje me 23%, në rreth 2.5 miliardë lekë. Kompania thotë se edhe për vitin 2021, pavarësisht nga ndikimi i Covid-19, xhiro është rritur. Nisur nga ecuria e deritanishme dhe nga kontratat në proces dhe të lidhura rishtaz, shoqëria parashikon që volumi i të ardhurave të jetë në nivel më të lartë në krahasim me vitin 2020 dhe treguesit ekonomikë e financiarë do të përmirësohen.

“Sideral”, e fokusuar në tregtimin dhe riciklimin e metaleve, u rrit me 18%, në 1.9 miliardë lekë. Kompania thekson në raportin e aktivitetit se duke parë situatën COVID-19 në Shqipëri, sektori i çelikut konsiderohet se preket në të njëjtën masë, ose më pak me shoqëritë e tjera në sektorë të ndryshëm. Shumica e klientëve të Shoqërisë po operojnë në ambient të hapur dhe kërkesat e klientit mbetën në të njëjtat nivele.

Kishte një periudhë të shkurtër bllokimi për Shoqërinë, vetëm një javë gjatë marsit, ku më pas Shoqëria vazhdoi normalisht të funksiononte. Nuk kishte ndërprerje në zinxhirin e furnizimit të Shoqërisë. Furnitorët kryesorë janë fabrikat e të njëjtit grup (Sidenor), të cilat ndodhen në Bullgari, Maqedoninë e Veriut dhe Greqi. Bazuar në procedurat e grupit, Shoqëria mbajti disponueshmërinë e parave në nivelin e nevojshëm”./MONITOR

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here