Shkak për ngjarjen vrasjen e 31-vjeçares nga Gana, me pasaportë franceze e më pas vetëvrasjen e Klinton Pirës, është bërë xhelozia. ‘Balkanweb’ mëson se Jawsackie Jaboah dhe Klinton Pira ishin konfliktuar online për shkaqe xhelozie e për këtë shkak e reja erdhi në Tiranë për t’u sqaruar. Mirëpo sqarimi mes tyre duket se ka rezuluar fatal. 26-vjeçari jetonte prej vitesh në Tiranë, në zonën e Laprakës, ndërsa për disa vite kishte jetuar si emigrant i paligjshëm në Angli. Pira me origjinë nga Dibra qëlloi disa herë me thikë në gjoks të dashurën e tij e më pas është hedhur nga kati i tetë për të kryer aktin e rëndë, të vetëvrasjes.
Si ndodhi ngjarja?
Klinton Pira, i cili jeton në zonën e ‘Don Boskos’ në Tiranë kishte marrë me qera një banesë 1 ditore në në afërsi të Gjykatës së Tiranës, në bulevardin “Gjergj Fishta”. E reja me nënshtetësi franceze kishte mbërritur nga Franca në Shqipëri, madje u prit nga vetë 26-vjeçari në aeroportin ‘Nënë Tereza’. Arsyeja e ardhjes së 31-vjeçares në Shqipëri ishte për t’u sqaruar me të dashurin e saj, për konfliktin që nisi mes tyre online. Mirëpo, duket se sqarimi për xhelozinë përshkallëzoi në përdorimin e thikës nga ana e Priës, i cili goditi disa herë në gjoks të dashurën e tij, e cila e plagosur rëndë ka mundur të zbresë poshtë 8 kate për të kërkuar ndihmë dhe ka gjetur vdekjen më pas në spital.
Ndërsa Klinton Pira pasi kishte kryer aktin makabër, tentoi fillimisht ta ndjekë 31-vjeçaren, por vetëm 2 kate mundi të zbriste dhe në gjaknxehtësi e sipër ngjitet sërish në katin e tetë për të bërë aktin fatal për jetën e tij dhe hidhet nga lartësia.