Policia e Kosovës të dielën arrestoi pesë persona që dyshohet se po planifikonin sulme terroriste në Kosovë. Një prej të arrestuarve është Ardian Gjuraj nga Peja.
Radio Evropa e Lirë ka arritur që të bisedojë me babin e Ardianit, Kujtim Qerkini, i cili ka mohuar se djali i tij të ketë qenë i përfshirë në ndonjë veprim apo planifikim të veprave terroriste.
“Absolutisht asgjë të vërtetë nuk ka aty”, thotë Qerkini i cili jeton në Gjermani.
Qerkini u shpreh se nuk i njeh asnjë nga personat e tjerë të arrestuar në aksionin, në të cilin u arrestua djali i tij më 10 tetor.
Qerkini thotë se ka qenë i kënaqur me djalin e tij për të cilin thotë se ka praktikuar fenë si çdo mysliman tjetër.
“Ai fenë e mban si çdokush tjetër. Punon, vjen në shtëpi dhe asgjë nuk ka diçka që mund të them. E dinë Zoti, djali ka qenë shumë në rregull, duke punuar dhe duke u bërë prind”, thotë Qerkini.
Ai ka mohuar në mënyrë kategorike se djali i tij kishte qenë mbështetës i ndonjë grupi ekstremist.
Në komunikatën e Prokurorisë Speciale të Kosovës u tha se gjatë bastisjeve u gjet një dron në njërën nga shtëpitë e të dyshuarave, por Kujtim Qerkini thotë se atë dron e kishte blerë vitin e kaluar në Gjermani për të bërë fotografi në ahengje familjare.
E ky dron, sipas tij u gjet në shtëpinë e tij në qytetin e Pejës gjatë bastisjeve që kreu Policia e Kosovës.
“Unë e kam blerë një dron të vogël 80 euro për të bërë fotografi në Gjermani para një viti. Kam qenë verës (në Kosovë) vajzën e kam martuar dhe e kam marr atje të bëjë fotografi dhe në gazeta shkruan se kanë gjetur dron dhe ta shohësh atë dron është sa grushti. Ai është lodër. Çfarë të them më shumë”, thotë Qerkini.
Qerkini thotë se në shtëpinë e tij në Pejë nuk është konfiskuar asgjë tjetër.
Gjuraj ishte gjykuar edhe më herët për terrorizëm
Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Ardian Gjuraj për dyshimet se gjatë viteve 2014-2015, duke jetuar në Gjermani, ishte bërë përkrahës i ideologjisë së grupit militant Shteti Islamik dhe babai i tij e kishte paraqitur në polici, ndërsa Policia e Gjermanisë më 18 prill 2015 e kishte deportuar atë në Kosovë.
Në vitin 2018 ai ishte dënuar me 1 vit e 5 muaj burgim nga Gjykata Themelore e Prishtinës.
Në aktgjykimin e Gjykatës Themelore i ishte llogaritur edhe koha sa Gjuraj kishte kaluar në paraburgim dhe ai nuk kishte nevojë të shkonte në vuajtje të dënimit.
Por. rasti ishte apeluar në Gjykatën e Apelit e cila në fund e kishte liruar atë nga akuzuat për vepra penale që lidheshin me terrorizëm.
Sipas Gjykatës së Apelit, gjykata e shkallës së parë dhe prokuroria nuk kanë pasur prova të drejtpërdrejta, por vetëm prova rrethanore, të cilat nuk kanë vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kaluar kufirin në Siri ose të jetë bashkangjitur ndonjë grupit terrorist.
Të arrestuarit më 12 tetor dalin para gjykatës
Ardian Qerkini është vetëm një nga pesë të arrestuarit që dyshohen për veprat penale: “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, “Kryerja e veprës terroriste”, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”.
Gjatë bastisjeve nëpër lokacione të ndryshme në Kosovë, të arrestuarve u janë gjetur në posedim armë zjarri si dhe mjete shpërthyese.
REL-i ka provuar gjatë ditës që t’i konfirmojë emrat e të arrestuarve të tjerë në Prokurorinë Speciale të Kosovës, mirëpo, as prokurorët të cilët janë lajmëruar e as zyra për informim nuk e kanë dhënë një informacion të tillë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Luftiu, vetëm ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se brenda afateve kohore do të bëhet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.
Të arrestuarit në këtë rast pritet që të dalin para Gjykatës Themelore të Prishtinës, të martën, më 12 tetor.
Sa mund të dënohen nëse shpallen fajtorë?
Veprat për të cilat dyshohen të arrestuarit përfshijnë dënime deri në pesë vjet burgim.
Vepra penale “Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”, sipas Kodit Penal dënohet me burgim prej një deri në pesë vjet.
Vepra tjetër penale për të cilën dyshohen të arrestuarit është “Kryerja e veprës terroriste”, vepër kjo që dënohet me jo më pak se pesë vjet burgim.
Ndërsa vepra tjetër për të cilën Prokuroria Speciale e Kosovës i akuzon të arrestuarit, “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse”, dënohet me gjobë deri në 7,500 euro dhe me burgim prej një deri në tetë vjet.
Të arrestuarit dyshohen po ashtu për “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Për këtë vepër penale, Kodi Penal i Kosovës thotë se kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në shkelje me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind 7,500 euro ose me burgim deri në pesë vjet.
Në njoftimin për media të Prokurorisë Speciale të Kosovës nuk është bërë e ditur nëse të arrestuarit kanë ndonjë lidhje me organizata terroriste.
Mirëpo mediat në Prishtinë kanë raportuar se dy nga pesë të arrestuarit kanë që edhe më parë të arrestuar për dyshime për vepra penale të terrorizimit.
Lidhja e kosovarëve me organizata terroriste
Që nga koha e shpërthimit të konfliktit të armatosur në vitin 2011, mbi 350 kosovarë udhëtuan drejt Sirisë dhe Irakut.
Pjesa më e madhe burra të cilët iu bashkuan organizatave terroriste atje, kryesisht grupit militant, Shteti Islamik.
Sipas të dhënave të institucioneve të Kosovës mbi 80 kosovarë u vranë në zonat e luftimeve.
Në grupin e kosovarëve që udhëtuan drejt Sirisë përveç burrave kishte gra dhe fëmijë.
Kosova u bë një ndër vendet e para në botë që riatdhesoi në mënyrë të organizuar qytetarë të saj nga kampet e Sirisë.
Në muajin prill të vitit 2019 në një operacion të fshehtë të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara, u riatdhesuan 110 kosovarë në mesin e tyre, katër luftëtarë të IS-it, 32 gra dhe 74 fëmijë.
Në një operacion tjetër të riatdhesimit, më 17 korrik 2021, institucionet e Kosovës riatdhesuan 11 shtetas nga zonat e konfliktit në Siri.
Për këtë operacion, SHBA-ja e cilësoi Kosovën si vend lider në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit.
“Kthimi i këtyre shtetasve demonstron vullnetin e Kosovës që të marrë përgjegjësi për shtetasit e saj, teksa vendos shembull edhe për të tjerët. Kosova është lidere në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit”, u tha në një postim në Twitter të Ambasadës amerikane në Prishtinë i publikuar më 17 korrik 2021.
Deri më tani nga Siria në Kosovë janë kthyer mbi 250 kosovarë.
Autoritetet në Prishtinë pretendojnë se në Siri vazhdojnë të mbesin ende 96 qytetarë nga Kosova.